Një qytetar ka ngritur shqetësim për shpenzimet që, sipas tij, është detyruar t’i bëjë për barna esenciale për një pacient me kancer, ndërsa frika nga pasojat e ka shtyrë që të mos e bëjë publike identitetin e tij.
Në një postim në Facebook, qytetari ka treguar se gjatë një viti ka paguar rreth 1,900 euro për barna esenciale që, sipas tij, është dashur të sigurohen përmes institucioneve shëndetësore.
“Ne për 1 vit radhazi kemi paguar barnat esenciale që kanë kushtuar rreth 1900 euro në muaj, siç e dimë këto barna janë pa pagesë”, ka shkruar ai.
Përveç shqetësimit për shumën e parave të shpenzuara, qytetari ka pyetur nëse ekziston ndonjë mënyrë që të kompensohet për paratë që ka paguar për këto barna.
Ai ka kërkuar edhe ndihmë juridike, duke pyetur nëse ndonjë avokat mund ta marrë përsipër rastin dhe ta ndihmojë që çështjen ta ndjekë edhe përmes gjykatës.
Megjithatë, ajo që bie më shumë në sy në rrëfimin e tij është frika për të folur publikisht.
Qytetari ka zgjedhur që postimin ta bëjë anonim, duke thënë se ka frikë se mund të ketë pasoja nga Ministria e Shëndetësisë.
“Postimin e bëra anonim, që mos me u hakmarrë najsen nga Ministria e Shëndetësisë”, ka shkruar ai.
Rasti ka nxitur reagim edhe nga gazetarja Saranda Ramaj, e cila ka ngritur pikërisht pyetjen se përse një pacient apo familjar i një pacienti me kancer duhet të ketë frikë të flasë për një problem që lidhet me sigurimin e barnave.
Ramaj ka theksuar se shuma prej 1,900 eurosh, por edhe shuma shumë më të vogla, përbëjnë barrë për një pacient me kancer nëse barnat në fjalë janë pjesë e Listës Esenciale.
“1,900, 1,000, 500, 200 apo edhe 50 euro janë barrë që pacienti me kancer NUK duhet ta bartë vetë, nëse bari është në Listën Esenciale”, ka shkruar ajo.
Ajo ka vënë në pikëpyetje edhe faktin se një qytetar në Kosovë mund të ndihet i frikësuar për të treguar publikisht problemet që has në një institucion shëndetësor.
“Pse një pacient, ose familjar i një pacienti me kancer, duhet të frikësohet nga hakmarrja për diçka esenciale që i takon, siç është qasja në barna, pikërisht në sfidën ndoshta më të madhe të jetës së tij?”, ka shkruar Ramaj.
Sipas saj, Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja do të duhej të krijonin një ambient ku pacientët ndihen të sigurt për të folur për problemet dhe mangësitë me të cilat përballen gjatë trajtimit.
“Pse një njeri në Kosovë ka frikë të flasë për pakënaqësitë e tij në spital?”, është pyetja që ajo ka ngritur pas këtij rasti



