Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve, thotë se kryeministri Albin Kurti duhet ta shfrytëzojë humbjen e Viktor Orbanit në Hungari dhe të bëjë që Kosova, në sytë e ndërkombëtarëve të mund të shfaqet si “një burim stabiliteti”.
Për ta arritur këtë, Joseph thotë se Kurti “duhet të heqë dorë nga populizmi i tij përçarës”.
“Ai duhet të ndërtojë konsensus për një president të ri, duke shmangur zgjedhjet e përsëritura që janë të panevojshme dhe shpërqendruese”, tha ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Kjo gjë, sipas Joseph, mund t’i japë Kosovës “mbështetje të re në Bruksel, në kryeqytetet e BE-së dhe në Uashington”.
“Ashtu siç administrata Trump nuk është e interesuar për lojërat e Vuçiqit, ajo nuk është e interesuar as për ato të Kurtit. Pezullimi i Dialogut Strategjik shtatorin e kaluar ishte dëshmi për këtë”, thotë ai.
Joseph thotë se “Kurti ka mundësinë të ndryshojë perceptimin – një perceptim që e dëmton Kosovën – se ai është një nxitës problematik”.
“Në vend të kësaj, ai mund të tregojë se ai dhe Kosova janë partnerë të vlefshëm për BE-në, NATO-n dhe SHBA-në”.
Joseph tha se “humbja e Orbanit i heq Beogradit mbrojtësin e tij kryesor brenda BE-së, ndërsa njëkohësisht dobëson aleatët e Vuçiqit në Uashington dhe Moskë”.
“Dhe, siç është parë, administrata Trump nuk i ka ofruar Vuçiqit mbështetje të fortë siç i ka dhënë Orbanit”, thotë ai ndër tjerash.
“Budapesti mori një zgjatje njëvjeçare për importin e naftës dhe gazit rus, ndërsa Beogradi u përball me sanksione ndaj NIS-it, që çuan në mbylljen e rafinerisë në Pançevë. Kjo do të thotë se tani ka edhe më pak arsye që Uashingtoni ta mbështesë Vuçiqin”.



