9.8 C
Mitrovice
E hënë, 18 Maj, 2026
spot_img
spot_img

Hovenier: Shqetësohemi kur Qeveria ndërmerr veprime për të vendosur sovranitetin aty ku ka sovranitet

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier ka folur për dallimet me Qeverinë e Kosovës, për çka para disa muajsh SHBA ngriti shqetësim, për ndërmarrjen e veprimeve pa koordinim me aleatët. Hovenier tha se dallimet lidhen me taktikat e Qeverisë dhe veprimet e njëanshme, raporton Gazeta Sinjali.

Në një intervistë në Rubikon, Hovenier u shpreh se këto veprime të Qeverisa janë marrë në disa mënyra për të vendosur sovranitetin, por siç thotë ai, “aty ku Kosova ka sovranitet”.

Tutje ambasadori amerikan tha se e mbështesin Kosovën për t’u avancuar, por rruga e vetme është përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Do ta mbështesim avancimin e Kosovës në institucionet evropiane, në Bashkimin Evropian, në Këshillin e Evropës dhe në institucionet euroatlantike – dhe në fund e shohim Kosovën edhe anëtare të NATO-s. Por, për t’i arritur këto gjëra, duhet përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kjo është rruga për ta çuar përpara këtë.

Dhe për këto gjëra me këtë Qeveri kemi pasur dallime nganjëherë, për shkak të disa taktikave apo qasjes për t’u përpjekur për t’i arritur ato.

Qeveria amerikane ka dhënë disa deklarata se jemi të shqetësuar kur Qeveria e Kosovës ndërmerr veprime të njëanshme në disa mënyra për të vendosur sovranitetin aty ku Kosova ka sovranitet, por megjithatë në mënyra që besojmë do të duhej të bëheshin përmes koordinimit me bashkësinë ndërkombëtare.” – tha Hovenier, transmeton Sinjali.

Ndryshe, zyrtarët amerikanë, përfshirë Hovenier, para disa muajsh kanë shprehur shqetësimin e tyre për veprimet e Qeverisë së Kosovës.

Ishte Hovenier, ai që kishte deklaruar se është “gjë e rrallë” që Kosova të kritikohet nga Shtetet e Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke iu referuar fjalimit të ambasadores amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, e cila e përsëriti kërkesën e shtetit të saj që Kosova të pezullojë zbatimin e vendimit të BQK-së gjatë një seance më 9 shkurt, ku u bisedua me kërkesë të Serbisë për çështjen e dinarit.

/GazetaSinjali/

TË FUNDIT

TË FUNDIT