Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit të Kosovës është bërë në kundërshtim me Kushtetutën dhe se kjo mund të vërë në pikëpyetje edhe Qeverinë Kurti 4.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani ka thënë se pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme dhe të pezullojë veprimtarinë e Kuvendit deri në vendimin përfundimtar.
Sipas tij, nëse konstituimi shpallet jokushtetues, edhe zgjedhja e Qeverisë së re mund të shpallet e tillë.
Hasani ka folur edhe për kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti, duke i kritikuar për mënyrën se si është zhvilluar procesi i konstituimit dhe trajtimi i afateve kushtetuese.
Ai ka paralajmëruar se situata mund të ndikojë edhe në zgjedhjen e presidentit dhe ka thënë se zgjedhja e tij në rrethanat aktuale do të ishte “komprometuese” për vendin.
Hasani ka vlerësuar gjithashtu se Kosova ndodhet para një ngërçi të ri institucional, i cili, sipas tij, mund të shndërrohet edhe në konflikt shoqëror.




