Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e ka konfirmuar se deputetët e PDK-së do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, e cila pritet të mbahet më 9 shtator.
Hamza e ka bërë këtë të ditur pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së dhe Grupit Parlamentar, duke thënë se partia e tij do të jetë e pranishme në seancë.
Hamza ka thënë se qëndrimi i PDK-së mbetet që Kuvendi i Kosovës të konstituohet, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues.
Para mediave, Hamza ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm në mënyrë që të mund të ndërmerren hapat e tjerë institucionalë.
“Ne kemi insistuar që të konstituohet Kuvendi, për shkak se edhe pse është shkelur afati kushtetues, për të pasur veprime të tjera, Kuvendi duhet të jetë i konstituuar”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka thënë se pret që vazhdimi i seancës më 9 shtator të mos përdoret për kalkulime të reja politike dhe që Kuvendi të konstituohet.
“Presim që kjo të mos jetë një kalkulim i radhës politik, që të ftohet seanca me datën 9, por Kuvendi të mos konstituohet. Prandaj, këto janë qëndrimet tona dhe fokusi ynë si PDK”, ka thënë ai.
Seanca për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit është thirrur për 9 shtator nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari.




