19 C
Mitrovice
E mërkurë, 8 Korrik, 2026
spot_img
spot_img

Goditje ndaj Serbisë, tetë shtete i bllokojnë hapjen e Kapitullit 3 për anëtarësim në BE

Përpjekja e Serbisë për të hapur “Kapitullin 3” në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian ka dështuar, pasi tetë shtete anëtare bllokuan arritjen e konsensusit të nevojshëm.

Në takimin e ambasadorëve të BE-së në Bruksel, Holanda, Suedia, Finlanda, Belgjika, Estonia, Lituania, Bullgaria dhe Kroacia refuzuan të mbështesin hapjen e kapitullit të ri të negociatave.

Tre vende të tjera, Danimarka, Luksemburgu dhe Letonia, nuk e kundërshtuan hapur propozimin, por vlerësuan se Serbia ende nuk i ka përmbushur kushtet e kërkuara.

Franca, siç raportoi Euronews, ishte ndër vendet që shtyu pro palës serbe.

Për hapjen ose mbylljen e çdo kapitulli negociues kërkohet miratimi unanim i të 27 shteteve anëtare të BE-së.

Kapitulli 3 mbulon fusha që lidhen me konkurrueshmërinë, rritjen gjithëpërfshirëse dhe përafrimin e ekonomisë serbe me tregun e vetëm evropian.

Vendimi përbën një “goditje” për Komisionin Evropian, i cili prej vitesh argumenton se Serbia i ka përmbushur kushtet teknike për hapjen e këtij kapitulli.

Pak ditë para takimit, Komisioni u shpërndau vendeve anëtare një dokument ku vlerësonte se Serbia kishte “zbatuar elemente thelbësore të angazhimeve” dhe se kishte “korrigjuar prapakthimin” e konstatuar më herët në disa fusha.

Sipas dokumentit që kanë parë mediat evropiane, Beogradi vlerësohet të ketë “përparim në reformën në drejtësi, lirinë e medias, kuadrin zgjedhor dhe bashkëpunimin me BE-në në politikën e jashtme dhe të sigurisë.”

Megjithatë, Komisioni pranonte se “nevojitet ende punë e mëtejshme” në reformën e sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë.

Një tjetër pikë mosmarrëveshjeje mbetet politika e Serbisë ndaj Rusisë.

Edhe pse Komisioni vlerëson se Beogradi ka bashkëpunuar për të parandaluar shmangien e sanksioneve dhe ka rritur mbështetjen për Ukrainën, Serbia vazhdon të mos u bashkohet sanksioneve evropiane kundër Moskës.

Sipas diplomatëve evropianë, kundërshtimet e tetë vendeve lidhen kryesisht me “problemet në sundimin e ligjit” dhe “mosharmonizimin me sanksionet” ndaj Rusisë.

Një diplomat tha se, me “një grup kaq të madh shtetesh që kundërshtojnë për çështje kaq themelore”, është e vështirë të imagjinohet se propozimi do të rikthehet shpejt në tryezë.

Një tjetër diplomat argumentoi se avancimi i Serbisë do të dërgonte sinjal të gabuar, ndërsa Ukraina dhe Moldavia ende nuk kanë hapur të gjitha klasteret negociuese.

Një diplomat kritik ndaj propozimit të Komisionit tha se përdorimi i zgjerimit si instrument gjeopolitik funksionon “derisa vendi të hyjë në BE, e pastaj shndërrohet në një problem gjeopolitik me përmasa të mëdha”.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian dhe shtetet mbështetëse argumentojnë se zgjerimi mbetet mjeti më i mirë për ta afruar Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Evropian dhe për ta larguar nga ndikimi rus dhe kinez.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar më herët se Bashkimit Evropian i duhet “një Serbi e fortë dhe demokratike” në krah.

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, mbrojti sërish hapjen e Kapitullit 3.

“Në dritën e disa zhvillimeve të fundit pozitive, Komisioni ka rinovuar rekomandimin ndaj Këshillit për hapjen e Kapitulli 3”, tha ajo në Parlamentin Evropian.

Ajo shtoi se Komisioni “do të vazhdojë të nxisë përparimin e reformave në dobi të të gjithë qytetarëve dhe shoqërisë serbe”.

Ndërkohë, Parlamenti Evropian miratoi raportin për zgjerimin e Serbisë me 468 vota pro, 116 kundër dhe 79 abstenime.

Raporti kërkon reforma në sistemin zgjedhor, forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftë më të vendosur kundër korrupsionit.

Raportuesi për Serbinë, Tonino Picula, tha se vendi ka shënuar përkeqësim gjatë viteve të fundit.

“Reformat janë ndalur dhe ritmi i tyre është ngadalësuar”, deklaroi ai.

Sipas Piculës, “reformat e lidhura me BE-në kanë ngecur në disa fusha kyçe, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe standardet demokratike”.

Ai shtoi se mbetet “e paqartë se ku e sheh Komisioni përparimin” që justifikon hapjen e Klasterit 3.

Serbia aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe fitoi statusin e vendit kandidat në vitin 2012.

Deri tani janë hapur 22 kapituj negociues dhe vetëm dy janë mbyllur përkohësisht.

Kapitulli i fundit u hap në fund të vitit 2021.

Katër vjet më vonë, procesi mbetet i bllokuar për shkak të mungesës së konsensusit politik mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

TË FUNDIT

TË FUNDIT