Një takim i mbushur me emocione është zhvilluar së fundmi mes mjekut të luftës, Dr. Xhemajl Selimi, dhe Shpresa Ahmetit nga Rezalla, e cila pas 27 vitesh pati mundësinë ta falënderonte personalisht njeriun që i shpëtoi jetën gjatë luftës në Kosovë.
Takimi ndodhi rastësisht në një restorant, ku Dr. Selimi po pinte kafen e mëngjesit. Shpresa, e cila jeton me familjen e saj në Belgjikë dhe ndodhej për pushime në Kosovë, iu afrua së bashku me bashkëshortin dhe vajzën e saj për ta përshëndetur.
Me lot në sy, ajo u prezantua si njëra nga të plagosurat e luftës së vitit 1999 në Rezallë, duke kujtuar se si, si vajzë e vogël, kishte mbetur e plagosur rëndë nga copëzat e një granate që i ishin ngulitur në kokë. Ajo tha se falë ndërhyrjes së Dr. Selimit dhe ekipit të tij mjekësor arriti të mbijetojë.
Shpresa kujtoi se plagët fizike nuk mund ta zbehnin dhimbjen për humbjen e motrës dhe vëllait të saj të vogël, Malush Ahmetit, i cili sot kujtohet si një nga simbolet e vuajtjes së fëmijëve gjatë luftës në Kosovë.
Ajo tregoi se sot është nënë e tre fëmijëve, jeton dhe punon në Belgjikë, ku ka përfunduar studimet në shkencat juridike dhe mban një pozitë të rëndësishme profesionale.
“Sot pas 27 vitesh mu krijua mundësia t’ju takoj dhe t’ju shpreh mirënjohjen time dhe të familjes për sakrificën që keni bërë ju dhe ekipi juaj në ditët më të rënda të luftës”, citohet të ketë thënë ajo.
Takimi u shoqërua me emocione të forta, ndërsa të dy rikujtuan ditët e luftës, sakrificat dhe jetët e shpëtuara në rrethana jashtëzakonisht të vështira.
Kjo ngjarje shërben si një kujtesë e gjallë për sakrificën e popullit të Kosovës gjatë luftës dhe për rolin jetik të mjekëve që, në vijën e parë të frontit, rrezikuan jetën për të shpëtuar të tjerët.
Nderim për Dr. Xhemajl Selimin dhe për të gjithë mjekët e luftës, të cilët me përkushtim e humanizëm u bënë shpresë dhe shpëtim në ditët më të vështira të lirisë.




