spot_img
spot_img

Egjipti e shpall terroriste një organizatë në Kosovë, dyshimet për lidhje me Vëllazërinë Myslimane

Një organizatë me bazë në Kosovë është përfshirë në listën e organizatave terroriste të Egjiptit, në një vendim gjyqësor që prek gjithsej 35 organizata dhe institucione islame në Evropë, si dhe 36 individë. Vendimi vjen në kuadër të fushatës së autoriteteve egjiptiane kundër Vëllazërisë Myslimane dhe rrjeteve që ato i konsiderojnë të lidhura me këtë lëvizje.

Gjykata Penale e Kajros, më 10 nëntor 2026, ka vendosur përfshirjen e 35 organizatave dhe 36 personave në listat e terrorizmit për një periudhë pesëvjeçare.

Në mesin e organizatave të përfshira është edhe Cultural Foundation for Science and Education (Fondacioni Kulturor për Shkencë dhe Edukim), nga Kosova.

Vendimi është marrë në kuadër të rastit nr. 11108/2026, të regjistruar pranë Prokurorisë së Sigurisë së Lartë të Shtetit, dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Egjiptit, në numrin 250.

Pse Egjipti i shpalli terroriste?

Përfshirja e këtyre organizatave lidhet me qëndrimin e autoriteteve egjiptiane ndaj Vëllazërisë Myslimane (Muslim Brotherhood), lëvizje islamiste që Egjipti e ka shpallur organizatë terroriste që nga viti 2013.

Pas rrëzimit të presidentit Mohamed Morsi, i cili ishte pjesë e kësaj lëvizjeje, autoritetet egjiptiane ndërmorën një fushatë të gjerë kundër saj, duke ndaluar aktivitetet e organizatës dhe duke ndjekur penalisht drejtues dhe anëtarë të saj.

Më 9 nëntor 2026, Egjipti e vendosi përfundimisht Vëllazërinë Myslimane në listën e organizatave terroriste, duke e zëvendësuar regjistrimin e mëparshëm të përkohshëm me një vendim të përhershëm.

Vendimi i një dite më pas, që përfshin 35 organizata evropiane, shihet në këtë kontekst si zgjerim i masave kundër rrjeteve dhe institucioneve që autoritetet egjiptiane i konsiderojnë të afërta me këtë lëvizje.

Në mesin e organizatave të përfshira janë Këshilli i Myslimanëve të Evropës, Shoqata Myslimane e Britanisë, organizata myslimane në Francë, Gjermani, Zvicër, Suedi dhe Itali, si dhe institucione evropiane që merren me çështje fetare, arsimore dhe këshillim islamik.

Edhe Shqipëria në listë

Përveç Kosovës, në listën e Egjiptit është përfshirë edhe një organizatë nga Shqipëria, e emërtuar The Future Cultural Association (Shoqata Kulturore e së Ardhmes).

Kështu, Kosova dhe Shqipëria janë ndër vendet e rajonit që kanë organizata të përfshira në këtë vendim.

TË FUNDIT

TË FUNDIT