spot_img
spot_img

Deputetja Jashari: E papranueshme që performanca e nxënësve në PISA po vazhdon të bie

Deputetja Sala Jashari ka prekur problemin e performancës së nxënësve të Kosovës në PISA, shkruan Mitrovica SOT

Ajo tha se performanca e nxënësve në këtë test është përkeqësuar edhe më ndër vite ndërsa arsimi ende pret të trajtohet me seriozitetin e nevojshëm.

“Si deputete dhe si mësimdhënëse, e kam të pamundur ta pranoj këtë rënie si diçka me të cilën duhet të mësohemi. Fëmijët tanë kanë potencial, ndërsa ne kemi përgjegjësi t’u sigurojmë arsimin që e zhvillon atë”, shkroi ajo mes tjerash.

Postimi:

Është e papranueshme që rezultatet e nxënësve të Kosovës në PISA të vazhdojnë të bien, ndërsa arsimi ende pret të trajtohet me seriozitetin që meriton.

Krahasuar me vitin 2015, përqindja e nxënësve që mbeten nën nivelin bazë të aftësive është rritur me 7 pikë përqindjeje në matematikë, 7 në lexim dhe 11 në shkencë. Këto shifra janë alarmante, sepse pas tyre janë fëmijë që po kalojnë vite në shkollë pa marrë përgatitjen që u duhet për jetën.

Si deputete dhe si mësimdhënëse, e kam të pamundur ta pranoj këtë rënie si diçka me të cilën duhet të mësohemi. Fëmijët tanë kanë potencial, ndërsa ne kemi përgjegjësi t’u sigurojmë arsimin që e zhvillon atë.

Kjo gjendje duhet të na alarmojë si shoqëri dhe të na shtyjë të veprojmë menjëherë. Ministria duhet të dalë me masa konkrete, afate dhe përgjegjësi të qarta, duke punuar me komunat, mësimdhënësit dhe prindërit për të sjellë përmirësim real në çdo klasë.

Çdo vit i humbur në arsim ua ngushton mundësitë një brezi të tërë. Fëmijët tanë meritojnë veprim tani.

TË FUNDIT

TË FUNDIT