Adnan Gjinovci familjar i aktivistit Rron Gjinovcit, ka bërë një reagim publik duke nënvizuar se nuk ndajnë të njëjtat qëndrime politike me të dhe distancohen qartë nga aktiviteti i tij publik dhe politik.
“Marr shkak nga zhvillimet e fundit dhe reagimet mediatike rreth aktivistit Rron Gjinovci, për të bërë këtë sqarim publik në emër të familjes sonë. Për të qenë plotësisht i hapur dhe korrekt: babai i Rronit është djali i axhës tim Arbërit për të cilin kom shumë respekt. Sidoqoftë, unë personalisht dhe familja ime nuk ndajmë të njëjtat qëndrime politike me Rronin dhe dëshirojmë të distancohemi qartë nga aktiviteti i tij politik”, shkroi ai në reagim.
Ai mohon kategorikisht çdo lidhjeje të familjes Gjinovci me figurën e Arkanit siç sikur ai lë të kuptohet u spekulua. Sipas tij, familja e tyre jo vetëm që nuk ka pasur asnjë afërsi me të, por historikisht e ka konsideruar armik dhe ka qenë në anën kundërshtare gjatë luftës.
“Sa u përket aludimeve apo informacioneve për lidhje me Arkanin, ato lidhen ekskluzivisht me anën e dajëve të Rronit dhe nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me trungun, historinë apo emrin e familjes Gjinovci. Kërkojmë nga mediat dhe opinioni publik që të mos e përbaltin emrin e familjes sonë për llogari të përplasjeve politike të ditës. Historia e familjes Gjinovci është e shkruar me mund e sakrificë për këtë vend dhe do të mbetet gjithmonë e tillë”, përfundoi ai./gazetametro.net


