Katër biseda të Mimoza Kusari-Lilës me Sllavko Simiqin, zbulojnë përpjekjet e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për koordinim me Listën Serbe. Bisedat në WhatsApp dëshmojnë “kapitullimin” e LVV-së para Listës Serbe për kalimin e ligjeve në kuvend dhe për çështjen e energjisë elektrike në veri. Kusari-Lila e quan vëlla Simiqin. Të dy merren vesh për caktimin e një takimi të Simiqit me kryeministrin Kurti. Kusari-Lila pranon ftesë për vizitë te Radoiçiqi në Kopaonik.
Mimoza Kusari-Lila po përpiqej të krijonte aleancë me Listën Serbe për çështje të agjendës legjislative të mazhorancës.
Për këtë qëllim, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje kishte krijuar raporte miqësore me ish-shefin e Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq, me të cilin komunikonte përmes platformës WhatsApp.
Ajo, përpiqej t’i bashkërendonte veprimet me Listën Serbe për miratimin e ligjeve të rëndësishme në kuvend.
Në katër biseda të realizuara përmes WhatsApp-it, të cilat i ka siguruar Paparaci, Kusari-Lila dhe Simiq bisedonin edhe për vizitat e deputetëve të Listës Serbe te Millan Radoiçiqi në Kopaonik.
Këto biseda dhe të tjera janë në duart e Policisë së Kosovës.
Në bisedën e parë Kusari-Lila – Simiq, të realizuar më 29 janar të vitit 2022, Kusari-Lila pranon një përshëndetje nga Kopaoniku dhe një ftesë që pretendohej se i vinte nga Millan Radoiçiqi për vizitë në resortin turistik ku qëndronte ai, përtej kufirit me Kosovën.
“Ja një përshëndetje nga Kopaoniku [qesh]”, i shkruan Simiq, Kusari-Lilës duke i propozuar asaj që shkonte për vizitë në Kopaonik, ku Radoiçiq zotëron një hotel në të cilin qëndronte asokohe. “Pra, të jemi shëndosh dhe ti vjen këtu në mal”.
Kusari-Lila, e cila kishte krijuar raporte gati miqësore me Simiqin, aty për aty nuk e refuzon ftesën.
“Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së në Kopaonik [qesh]”, i përgjigjet ajo ftesës së Simiqit, tregon biseda e parë mes tyre.
“E pse jo?”, ia kthen Simiqi.




