Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë për moszbatimin e pagës minimale prej 500 eurosh për punëtorët e sektorit privat.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka reaguar ndaj grevës së punëtorëve teknikë të shkollave, të cilët, sipas saj, vazhdojnë të paguhen me nga 390 euro në muaj.
“E dhimbshme t’i shohësh punëtorët teknikë të shkollave në grevë për një të drejtë krejt elementare siç është paga minimale”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka theksuar se paga minimale prej 500 eurosh bruto ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2026, por kompanitë e kontraktuara nga komunat nuk po e zbatojnë atë.
Ajo ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Inspektoratit Qendror të Punës ndaj kompanive që nuk respektojnë vendimin.
Qeveria ka ndarë rreth 130 milionë euro për pagën e 13-të, për sektorin publik,(përmes rishikimit të buxhetit) ndërkohë punëtorët që mbajnë të pastra shkollat e fëmijëve tanë nuk marrin as pagën minimale”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka kërkuar përgjegjësi nga Qeveria, komunat dhe kompanitë private, duke theksuar se problemet kontraktuale nuk duhet të zgjidhen në kurriz të punëtorëve.
“Paga minimale nuk është privilegj as opsion, është detyrim ligjor dhe duhet të zbatohet nga të gjithë”, ka përfunduar Bajrami.



