Çmimet globale të naftës ranë të martën, pavarësisht kërcënimit të Shteteve të Bashkuara me një “Ditë D ekonomike” ndaj vendeve që bëjnë biznes me Iranin, ndërsa tregtarët presin më shumë detaje konkrete, shkruan CNN.
Kontratat e së ardhmes për Brent-in, standardi global, ranë me 2% dhe tregtoheshin me 90 dollarë për fuçi pak para orës 5 të mëngjesit sipas kohës së Lindjes së SHBA-së. Ndërkohë, kontratat e së ardhmes për WTI-n, standardi amerikan, ranë me 2.4%, në 83 dollarë, pothuajse në të njëjtën kohë.
Rënia erdhi edhe pasi Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi të hënën sanksione të reja ekonomike ndaj Iranit dhe partnerëve të tij tregtarë. Kompanitë e transportit detar gjithashtu rrezikojnë ndëshkime nëse u përgjigjen kërkesave për informacion nga organizatat iraniane që menaxhojnë Ngushticën e Hormuzit.
Por administrata amerikane ende nuk ka vendosur asnjë sanksion dhe as nuk ka emërtuar vendet e prekura apo dhënë një afat kohor specifik. Brent-i dhe WTI-ja të dyja e mbyllën të hënën me rënie prej 2.4%.
“Nuk pati hapa të rinj konkretë, përveç sanksionimit të 60 entiteteve dhe individëve të lidhur me Iranin”, shkruan analistët e Deutsche Bank në një shënim të së martës.
“Në mungesë të një përshkallëzimi material dhe mes vazhdimit të flukseve të fshehta përmes Ngushticës së Hormuzit, tregjet e naftës mbetën kryesisht në një fazë pritjeje dhe vëzhgimi”, shtuan ata.
Disa analistë kanë teorizuar se sasi të konsiderueshme të naftës bruto po “rrjedhin” nga Ngushtica e Hormuzit, duke ndihmuar në mbështetjen e tregut global. Ekspertët i thanë CNN-së se këta cisterna mund t’i kenë fikur sinjalet e tyre të gjurmimit për të shmangur zbulimin.



