Kryetari i PDK-së Bedri Hamza, ka folur për herë të parë pas zgjedhjeve të 7 qershorit ku ka deklaruar se rezultatin e partisë së tij e ka parë në mënyrë reale dhe si një mesazh të qartë të elektoratit të saj.
Hamza theksoi se, megjithëse PDK e ka ruajtur numrin e ulëseve në Kuvend, rënia e numrit të votave përbën një mundësi të humbur për partinë.
“Rezultatin e kam parë në mënyrë reale, normalisht e kam lexuar si mesazh të elektoratit. Demokracia është përfaqësim, shpeshherë mund të kesh më shumë vota e më pak ulëse, ose më pak vota e më shumë ulëse. Në këto zgjedhje PDK e ka ruajtur numrin e ulëseve brenda Kuvendit”, deklaroi Hamza në Klan Kosova.
Hamza vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje ndonëse ka dalur partia e parë, është humbësja e vetme e këtyre zgjedhjeve, pasi sipas tij, ajo ka humbur katër ulëse në Kuvend, ndërkohë që LDK ka fituar tri ulëse dhe AAK një më shumë.
Më tej Hamza pranon se PDK ka shënuar rënie në numrin e votave dhe kjo për të është mundësi të humbur për të arritur një rezultat më të mirë.
“Megjithëkëtë kemi pasur humbje të numrit të votave dhe unë këtë e konsideroj si mundësi të humbur për Partinë Demokratike të Kosovës, që në këto zgjedhje ta ketë një rezultat krejt tjetër, shumë më të mirë, me numrin e votave që kishte në shkurt dhe dhjetor të vitit të kaluar”, tha Hamza.





