spot_img
spot_img

BE ndëshkon Beogradin, vlerëson Tiranën dhe Podgoricën

Sipas konfirmimeve të fundit, për Serbinë nuk do të ketë një udhërrëfyes orientues në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Nga ish-diplomatë të BE’së kritika dje u thanë edhe për deklaratën fashiste të ish-kreut të diplomacisë serbe Ivica Dacic.

Të njëjtit iu qartësua se një retorikë e tillë çon në luftë dhe jo drejt vlerave perëndimore.

Komisioni Evropian do të publikojë në fund të tetorit udhërrëfyesit për Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë, si vendet që kanë shënuar përparimin më të madh në procesin e anëtarësimit.

Kjo konfirmon edhe zyrtarisht se Serbia e ka humbur pozitën që dikur e kishte si një nga vendet prijëse në procesin e integrimit evropian.

“Serbia do të duhet të përmbushë më shumë kushte. Pas zgjedhjeve, do të shohim se sa serioze është Qeveria e saj, nëse vetëm do të flasë për dëshirën për t’u bërë anëtare e BE-së, apo edhe do të ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim”, tha komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Duke folur para Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Kos theksoi se kjo vlen veçanërisht për përafrimin strategjik dhe harmonizimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Për Strahinja Subotiqin, nga organizata joqeveritare Qendra për Politika Evropiane me seli në Beograd, fakti që Serbia nuk do të marrë një udhërrëfyes përbën një paralajmërim serioz dhe dëshmi se ky vend po stagnon në procesin e integrimit evropian.

Ai tha se ngecja nuk pasqyrohet më vetëm në faktin që Serbia, prej vitesh, nuk ka hapur asnjë grupkapitull në negociatat e anëtarësimit dhe nuk ka mundësi të përfitojë nga fondet në kuadër të Planit të Rritjes.

“Tani, në thelb, po na dërgohet mesazhi se mund të humbasim edhe përfitime të shumta që lidhen me anëtarësimin gradual në BE”, tha ai.

Udhërrëfyesit do të jenë pjesë e paketës së zgjerimit, të cilën Komisioni Evropian planifikon ta miratojë më 28 tetor.

Serbia nuk ka hapur asnjë grupkapitull në negociatat e anëtarësimit në BE që nga dhjetori i vitit 2021.

Komisionarja evropiane, Marta Kos, prezantoi këtë javë propozimin e ri të Komisionit Evropian për rregullat që do të vlejnë për anëtaret e ardhshme të Bashkimit Evropian.

Duke shpjeguar pse vetëm katër vende do të marrin udhërrëfyes, Kos tha se ata kanë kuptim vetëm për shtetet që bëjnë përparim të mirëfilltë në procesin e anëtarësimit.

“Do ta krahasoja me një makinë. Nëse makina nuk funksionon, nuk ka kuptim ta shtyjmë nga pas kur motori nuk punon. Dhe motori mund të punojë vetëm nëse ka karburant, ndërsa karburante janë reformat brenda vendit”, tha ajo.

Corina Stratulat, nga Qendra për Politika Evropiane (EPC), tha se përjashtimi i Serbisë nga udhërrëfyesit është një mesazh për vendet kandidate se pozita e një vendi prijës në procesin e integrimit evropian duhet të fitohet dhe të ruhet.

“BE-ja duhet ta arsyetojë këtë vendim me kritere të qarta në fushën e reformave demokratike, sundimit të ligjit dhe harmonizimit të politikës së jashtme, si dhe të përcaktojë qartë se çfarë duhet të bëjë Serbia për ta kompensuar ngecjen. Bashkimit Evropian i duhet gjithashtu një udhërrëfyes për përgatitjet e veta, sepse vetëm reformat e vendeve kandidate nuk mjaftojnë që zgjerimi të realizohet”, tha Stratulat, raporton REL.

Procesi i integrimit evropian të Serbisë praktikisht ka ngecur që nga dhjetori i vitit 2021, kur është hapur grupkapitulli 4, i fundit që Beogradi ka hapur në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ky grupkapitull përfshin agjendën e gjelbër dhe ndërlidhjen e qëndrueshme, ndërsa është hapur në kulmin e protestave kundër projektit të kompanisë Rio Tinto për shfrytëzimin e litiumit.

Ngecja fillimisht lidhej me faktin se Serbia nuk e kishte harmonizuar politikën e saj të jashtme me sanksionet që Bashkimi Evropian vendosi ndaj Rusisë, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 – vetëm dy muaj pas hapjes së grupkapitullit të fundit.

Ndërkohë, është përkeqësuar edhe gjendja në fushën e sundimit të ligjit, duke i vështirësuar më tej përpjekjet e Serbisë për të dalë nga ngecja disavjeçare në procesin e integrimit evropian.

TË FUNDIT

TË FUNDIT