21.2 C
Mitrovice
E hënë, 29 Prill, 2024
spot_imgspot_img

Bankat në Kosovë në hall nga 2 euroshet false, klienti i BpB deponon qindra euro

Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në qarkullim në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa monedha që po ‘tmerron’ të gjithë është ajo 2 euroshe, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është raportuar gjatë ditës së djeshme nga një zyrtar i Bankës për Biznes (BpB) në Lipjan, i cili ka njoftuar se janë detektuar qindra euro që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për një shumë rreth 400 euro, ku të gjitha monedha metalike 2 euroshe.

Paratë që dyshohet se janë të falsifikuara janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale dhe me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti ‘Falsifikim i parasë’.

Kujtojmë se para disa javësh janë arrestuar gjashtë persona, tre kosovarë dhe tre shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilët dyshohet se merreshin me prodhimin/shpërndarjen dhe futjen në treg të parave të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën, dhe me pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit.

Si masa preventive për ‘shpëtimin’ nga 2 eurot false, shumë biznese në Kosovë kanë filluar të mos pranojnë pagesa me këto monedha.

Ndryshe, falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

/GazetaSinjali/

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT