Talljet me librin me titull, “Agim Bahtiri – Epokë kthese si kryetar i Mitrovicës 2013-2021”, kanë provokuar reagimin e kryetarit të Mitrovicës, shkruan mitrovicasot.net
Nga reagimet e shumta ishte edhe ai nga ish-kandidati i VV për kryetar të Mitrovicës, Fehmi Ferati, i cili aludoi se libri është bërë me paratë e buxhetit të komunës.
Bahtiri ka reaguar në Facebook, duke thënë se pretendimi se libri është bërë me paratë e komunës është shpifje.
“Pas publikimit të kopertinave të librit “Agim Bahtiri – Epokë kthese si kryetar i Mitrovicës 2013-2021” të shkrimtarit Hysen Ibrahimi, një person i dështuar politikisht është në kërkim të zanatit të tij të shpifjeve ndaj meje, krejt kjo për shkak se e kam mundur bindshëm në garën për kryetar komune në vitin 2017”, ka shkruar Bahtiri.
“Për shpifjen e tij se libri është paguar me parat e komunës, unë qytetarëve dhe mediave ua bëj të ditur faktin se asnjë cent për këtë libër nuk është paguar e as që do të paguhet nga komuna”, shtoi Bahtiri.




