Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka publikuar raportin përfundimtar të mostrave të testuara të qumështit në industrinë e prodhimit dhe përpunimit të produkteve të qumështit.
Bekim Hoxha, drejtor i Agjencisë, tha se rezultatet e monitorimit kanë evidentuar 93 mospërputhje në produktet e qumështit.
“Rezultatet e këtij monitorimi kanë ofruar pasqyrë të plotë mbi evidencat e gjendjes reale të sektorit. Këto kontrolle kanë identifikuar një numër të madh mospërputhjesh. Nga gjithsej 93 mospërputhje të identifikuara, 46 raste kanë të bëjnë me praninë e vajit të palmës”, tha Hoxha në një konferencë për media të martën.
Ai tha se mospërputhjet lidhet me përbërësit që nuk janë deklaruar në etiketë.
“Analizat tona, që janë realizuar në laboratorin e AUV-it, në mbi 91 për qind të rasteve të mospërputhjeve, përbërsit nuk janë deklaruar në etiketë. Kjo nënkupton se konsumatori nuk ka pasur informacion të plotë dhe të saktë mbi përbërjen e produktit që ka blerë”, tha Hoxha.
“Kontrollet tona kanë evidentuar gjithashtu se një numër i madh i operatorëve ekonomikë posedonin autorizime për përpunimin e qumështit dhe produkteve të qumështit, por nuk posedonin autorizime të veçanta për produkte që përmbajnë vaj të palmës, yndyrë bimore, qumësht pluhur apo përbërës të tjerë zëvendësues”.
Hoxha tha se gjithsej janë marrë 495 mostra, ku pjesa më e madhe e mostrave janë testuar nga veterinarë të brendshëm, veterinarë kufitarë, sanitarët kufitarë, komisioni i AUV-it.
“Nga 471 mostër me rezultate, 385 mostra janë analizuar me përmbajtje të yndyrës, 321 mostra janë analizuar me përmbajtje të proteinës, 203 mostra janë analizuar me praninë e niseshtës apo amidonit dhe 45 mostra janë analizuar me praninë e qumështit pluhur.”
“Nga gjithsej 471 mostër të analizuar, u identifikuan 93 mospërputhje në nivel përbërësi. Kategoria me numrin më të lartë të mospërputhjeve ishte vaji i palmës me 46 raste, ndjekur nga ydyrërat bimore me 26 raste, niseshteja me 19 raste dhe qumështi pluhur me katër raste”, tha Hoxha.



