Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, duke e akuzuar për bllokim të institucioneve dhe zgjatje të krizës politike në vend.
Tahiri, në “Edicionin Special” në Klan Kosova, tha se veprimet e Kurtit janë pjesë e një “skenari politik”, i cili, sipas tij, po prodhon krizë të vazhdueshme institucionale.
Duke folur për funksionalizimin e Kuvendit, Tahiri deklaroi se, sipas tij, Kurti ka mundësi ta zhbllokojë situatën, por nuk po e bën këtë.
“Nesër në mëngjes mundet me funksionalizu Kuvendin, nuk e bën sepse janë skenarë të dramave e të filmave, edhe komikë. Po më shumë janë tragjikë sesa komikë”, tha Tahiri.
“Kur Albin Kurti ka qenë në opozitë, e ka pas numër të vogël të votave, ai ka qenë edhe atëherë destruktiv, edhe atëherë ka qenë pengues, por ka qenë shumë i vogël, shumë i parëndësishëm edhe në tavolinat vendimmarrëse ku janë marrë vendimet e mëdha për Kosovën, nuk ka marrë erë”, deklaroi ai.
Tahiri shtoi: “Fatmirësisht që s’ka mundur me qenë ato tavolina vendimmarrëse se as flamurin e Kosovës nuk e ka njohur”.
Deputeti i PDK-së u shpreh se mosfunksionalizimi i Kuvendit po ndikon edhe në institucionet e tjera të shtetit.
Ai e cilësoi qasjen e pushtetit si “abuzuese” dhe “kërcënim për rendin kushtetues”.



