Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë, me propozim për mbajtjen e gjykimit në mungesë, ndaj 20 të pandehurve për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës.
Sipas njoftimit, të pandehurit M.K., R.Ç., M.D., P.R., S.K., L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B., V.B., R.B., R.R., L.R., M.Sh., M.R., S.G. dhe T.A. akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Aktakuza thotë se gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R.Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme (PJP), dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të pandehurit e tjerë, në cilësinë e pjesëtarëve të këtyre njësive, akuzohen për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policor.
Sipas aktakuzës, gjatë këtij operacioni, gratë dhe fëmijët fillimisht janë ndarë nga burrat. Gratë, sipas Prokurorisë, janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar, një pjesë në shtëpitë dhe oborret e tyre, e një pjesë tjetër në lokacionin e njohur si “Ura e Taliqit”.
Prokuroria Speciale thekson gjithashtu se gjatë operacionit janë djegur edhe shtëpitë e civilëve.



