Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është deklaruar para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Abdixhiku deklaroi se ka afrime më Lëvizjen Vetëvendosje, mirëpo ekzistojnë dallime në balancën demokratike, shkruan Insajderi.
“Në këtë fazë, sa më shpesh që takohemi, më e mundshme është zgjidhja. Takimet janë të mira në aspektin e diskutimeve. Kuvendi duhet të konstituohet, s’ka arsye pse të mos konstituohet. Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore që është balanca demokratike”, deklaroi ai.
“Po përpiqemi vazhdimisht t’i shmangim zgjedhjet e reja. Po përpiqemi njëkohësisht që brenda këtyre diskutimeve t’i përfaqësojmë bindjet tona, që duhet të kuptoni se nuk janë të njëjta. Pra, duhet kohë, duhet përpjekje dhe mbi të gjitha po përpiqemi që të gjithë ata që i përfaqësojmë ne, t’i mbajmë rreth një zgjidhje të përbashkët. Këto tri procese nuk janë të lehta dhe meqenëse s’janë të lehta, përderisa përpiqemi, pra takohemi, mbesim të vetmit që duam t’i shmangim zgjedhjet e reja”, ka thënë më tej Abdixhiku. /Insajderi.org/



