spot_img
spot_img

Abdixhiku: 6 deputetë të LDK-së kanë deklaruar se nuk e votojnë Bekim Sejdiun

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të kësaj partie, ka bërë të ditur se gjashtë deputetë të LDK-së kanë deklaruar se nuk do ta votojnë kandidaturën e Bekim Sejdiut për President të Kosovës.

Abdixhiku tha se paraprakisht Kryesia e LDK-së e kishte mbështetur unanimisht kandidaturën e Sejdiut.

“Ne mbajtëm mbledhjen e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në këtë Kryesi kemi diskutuar jo vetëm propozimin e LDK-së për profesor doktor Bekim Sejdiun, por edhe gjithë angazhimin tonë politik. Në këtë drejtim, diskutimet ishin superlative për kandidatin. Brenda Kryesisë njihej personalisht si një profesionist i jashtëzakonshëm, si një jurist, si një njeri që ka punuar me dinjitet në të gjitha institucionet e veta dhe e ka shtruar rolin e tij. Në mënyrë unanime, pa asnjë votë kundër, e gjithë Kryesia, e përbërë nga anëtarë të ndryshëm nga gjithë vendi i Kosovës, votoi për kandidaturën e profesor doktor Bekim Sejdiut”, tha Abdixhiku.

Ai tregoi se pas mbledhjes së Kryesisë, LDK-ja u bëri thirrje deputetëve të saj që ta mbështesin kandidaturën e Sejdiut.

“Menjëherë pas kësaj mbledhjeje, ne bëmë një deklaratë publike në të cilën i bëmë ftesë deputetëve të LDK-së që të na mbështesin këtë kandidaturë. Tani sapo mbajtëm edhe mbledhjen e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe, me këtë rast, për popullin e Kosovës dhe fatin e Republikës, me gjithë procesin që jemi, gjashtë deputetë të LDK-së kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës”, deklaroi ai.

Abdixhiku tha se bëhet fjalë për Avdullah Hotin, Hykmete Bajramin, Arben Gashin, Armend Zemajn, Kujtim Shalën dhe Janina Ymerin.

“Këta kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin e propozuar dhe, në këtë fazë, konsideroj se i bëjnë dëm të pariparueshëm gjithë procesit dhe, pashmangshëm e pa nevojë, e humbin një mundësi të jashtëzakonshme për Kosovën. E dërgojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, deputetët që kanë kundërshtuar kandidaturën e Sejdiut do të duhej të “kapërcenin veten”, pasi, siç tha ai, kjo nuk ka qenë një betejë personale brenda LDK-së.

“Shumica prej këtyre figurave kanë përvojë të jashtëzakonshme politike në LDK dhe do të duhej të kapërcenin veten. Kjo s’ka qenë garë për mua, s’ka qenë betejë me mua. Beteja me mua ka përfunduar në Kuvendin e LDK-së. Kjo ka qenë betejë për Republikën e Kosovës”, tha Abdixhiku.

Ai e vlerësoi Sejdiun si një kandidat me integritet të lartë, i cili, sipas tij, do të garantonte balancën institucionale në vend.

“Kemi pasur një kandidat të shkëlqyeshëm, një njeri të propozuar nga LDK-ja, me integritet të jashtëzakonshëm, një njeri që do të siguronte balancën institucionale, që çdo tendencë të shkeljes së Kushtetutës, të thyerjes së demokracisë dhe të prishjes së balancës institucionale do ta mbronte edhe përballë pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.

Abdixhiku tha se kundërshtimi i kandidaturës së Sejdiut mund të ketë pasoja edhe për LDK-në në zgjedhjet e ardhshme.

“Konsideroj që, fatkeqësisht, pozicioni kundër vendimit të Kryesisë dhe kundër LDK-së është i dëmshëm fillimisht për Republikën e Kosovës, patjetër edhe për LDK-në. Në çdo palë zgjedhje të ardhshme që shkaktohen për shkak të këtij refuzimi, në radhë të parë, sepse kandidatura ishte e shkëlqyeshme, shumica e deputetëve të LDK-së ishin në vijë dhe Kryesia pa asnjë votë kundër e mbështeti, do të ketë pasoja të rënda edhe për rezultatet e ardhshme zgjedhore”, deklaroi Abdixhiku.

I pyetur nëse deputetët kanë probleme me figurën e Bekim Sejdiut apo me bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje, Abdixhiku tha se, ndonëse publikisht është përmendur figura e kandidatit, ai beson se në thelb qëndrojnë arsye të tjera.

“Deklarimi është për figurën, por në thelb kam përshtypjen që është diçka tjetër. Duket se ka pretendime të jashtëzakonshme për të shtyrë agjenda që s’janë të LDK-së”, tha ai.

Sa i përket masave eventuale ndaj gjashtë deputetëve, Abdixhiku tha se çështja disiplinore do të trajtohet më vonë.

“Unë besoj që, e para punës, duhet të merremi me këtë fazë për natyrën disiplinore brenda LDK-së, sepse ajo do të vijë. Më shumë jam i brengosur për pasojat për Kosovën”, tha ai.

Abdixhiku theksoi se nuk është i shqetësuar për masat ndaj deputetëve sa për mundësinë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje.

“Të shkaktohen edhe një herë zgjedhje, kur kemi marrëveshje politike, kur kemi kandidaturë serioze, të mbarë, të mirë, me respekt që është popullor, kur e kemi kapërcyer ne veten, s’kemi ardhur askund, asgjë prej vetes, vetëm që Kosova të ketë president dinjitoz, dhe për beteja të paarsyeshme personale të rrënohet gjithë kjo marrëveshje, unë jam i brengosur për pasojat për Republikën”, tha Abdixhiku.

Ai tha se deputetët që nuk e respektojnë vendimin e organeve të partisë nuk do të duhej të ndiheshin përfaqësues të LDK-së.

“Secili njeri që s’e respekton vendimin e Kryesisë dhe të organeve demokratike të Kosovës, më së paku duhet të ndihet përfaqësues i LDK-së”, tha Abdixhiku.

I pyetur nëse gjashtë deputetët do të vazhdojnë të jenë pjesë e Grupit Parlamentar të LDK-së, ai tha se për këtë do të merren vendime më vonë.

“Do të merremi me vendime, por kjo s’është tema. Vërtet s’është temë e rëndësishme tani për zhvillimet në vend”, tha Abdixhiku.

Në fund, ai tha se si deputet dhe politikan ka respektuar vendimet e shumicës edhe kur nuk është pajtuar me to.

“Kur s’jam pajtuar me partinë time ose me veprimet e shumicës së asaj partie, nuk kam qenë pengesë, nuk kam shkaktuar zgjedhje të reja dhe s’kam vendosur të votoj kundër vendimit të shumicës. Një gjë e tillë mund të bëhet, por secili kemi marrë vota me LDK-në”, deklaroi Abdixhiku.

“Unë, sinqerisht, i kërkoj falje popullit të Kosovës. I kërkoj falje popullit të Kosovës që, me gjithë vullnetin e madh e të mirë që kam pasur, ne kemi pasur në shumicë…”, tha ai, duke e ndërprerë deklaratën në këtë pikë./Reporteri.net/

TË FUNDIT

TË FUNDIT