Komuna e Prishtinës doli me një njoftim.
Po i ftojnë qytetarët në aktivitetin “Prite n’Shesh” që do të hapet me datën 10 të këtij muaji.
Anipse në kohë pandemie, e kur po bëhet thirrje për mosgrumbullime, për 3 javë rresht, çdo ditë nga ora 20:00 qytetarët do të mund të takohen në këtë aktivitet.
Tubimet e tilla, anipse të ambiente të hapura, po i sheh si rrezik potencial, infektologu Ilir Tolaj.
Ai thotë se përhapja e infeksionit në vende me grumbullime të shumta është shumë e mundshme.
“Tubimet në ambient të jashtëm janë më pak të rrezikshme sesa ato në ambient të mbyllur. Por padyshim, një tubim me mijëra qytetarë në shesh në këtë kohë mund të paraqet rrezik potencial për një shkallë më të lartë të përhapjes së infeksionit”, tha Tolaj për FrontOnline.
Thirrje për t’iu shmangur tubimeve po bëjnë edhe nga Ministria e Shëndetësisë.
Ata thonë se grumbullimet mund të ndikojnë në rritjen e rasteve me Covid.
“Sa më shumë grumbullime dhe shkelje të masave, aq më shumë raste do të mund të ketë”, kanë thënë nga MSH-ja
Gastronomia e Hoteleria kërkojnë lirim të masave për festat e fundvitit
Lirim të masave anti/Covid për festat e fundvitit kanë kërkuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, Oda e Hotelerisë dhe Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.
Sazan Ibrahmi, kryetar i këtij Asociacioni, tha se kërkesat e tyre janë të hiqet ora policore, të mos jetë e detyrueshme mbajtja e maskave në ambientet e jashtme si dhe ekipet mobile të kryejnë vaksinime në zonat e thella.
Heqjen e këtyre masave po e kërkojnë edhe nga hoteleria.
Kryetari i Odes së Hotelerisë, Hysen Sogojeva, në një prononcim për FrontOnline, tha se kanë kërkuar edhe lejimin e mbajtjes së ahengjeve dhe të hiqet ora policore.
“Këto masa që janë tani janë vetëm zgjatje jo ndryshim, ne kemi prit me pas ndryshim, ne kemi kërkuar takim më zëvendëskryeministrin i kemi kërkuar me i liru ahengjet me kusht që nuk ka me mujt me hy asnjë person që nuk i ka dy vaksinat apo testin, ne i kemi thënë se ne marrim përgjegjësi të hiqet ora policore dhe ne atëherë jemi dakord”, tha ai për Front Online.
Por në rast se këto kërkesa nuk miratohen ata kanë paralajmëruar protesta.
“Nëse nuk ndërmerr asnjë masë, unë nesër e kam takimin me kryesinë e gjerë të Odes dhe nesër ndoshta do të vendosim që për një kohë të caktuar deri me 15 dhjetor nëse nuk kemi lirimi atëherë nuk përjashtohet mundësia e masave radikale nga ana jonë duke përfshi edhe protestat”, tha Sogojeva për Front Online.
Përveç lirimit të këtyre masave, Arian Vrancia, nga shoqata e Gastronomëve të Kosovës, për FrontOnline, tha se kanë kërkuar edhe hapjen e klubeve të natës, dhe në rast se kërkesa e tyre nuk miratohet Qeveria do të përballet me protesta.
“Kërkesat e Asociacionit janë të mira pasi që Qeveria e Kosovës nuk po afron ndonjë alternativë tjetër për kompensimin e dëmeve që kanë sallat e dasmave dhe klubet e natës, ne do të shtonim në këtë kërkesë edhe hapjen e klubeve të natës sepse këto dy domene po mbahen padrejtësisht të mbyllura. Ne jemi duke i shqyrtuar masat dhe duke e rritur presionin, por në rast se nuk bëhet kjo hapje ne nuk i përjashtojmë as protestat”, tha ai.
MSH-ja dhe IKSHKP-ja nuk tregojnë se a do të lirohen masat për festat e fundvitit
Lidhur me kërkesat për lirimin e masave të cilat e ndalojnë përhapjen e covid-19, Front Online ka kontaktuar edhe institucionet e shëndetësisë.
Nga Ministria e Shëndetësisë, thanë se lirimi ose jo i këtyre masave bëhet në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së.
“Institucion përgjegjës për analizën e situatës epidemiologjike është IKSHPK, në bazë të rekomandimeve të se cilit institucion ndërmerren edhe masat”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
E nga IKSHPK-ja topin ia kanë hedhur Ministrisë së Shëndetësisë.
Ata po i bëjnë përgjegjës këta të fundit për vendimin final lidhur me lirimin e masave.
“Të gjitha pyetjet janë për Ministrinë e Shëndetësisë”, kanë thënë për Front Online nga IKSHKP-ja.
Infektologu Tolaj: Orari i kafeterive dhe restoranteve duhet kufizuar edhe më shumë
I pyetur se a duhet të lirohen masat e marra nga Qeveria për festat e fundvitit, Tolaj tha se një gjë e tillë nuk duhet të bëhet.
Ai tha se orari i kafeterive dhe restoranteve duhet të kufizohen edhe më shumë.
“Duhet penguar çfarëdo grumbullimi të numrit të madh të njerëzve në hapësira të mbyllura. Kjo nënkupton që orari i kafeterive dhe restoranteve duhet kufizuar edhe më shumë, muzika e gjallë duhet ndaluar, kurse mbikëqyrja e masave tjera siç është numri i mysafirëve duhet të jetë strikt”, tha Tolaj për Front Online.



