Kreatori i veshjeve, Valdrin Sahiti është ndaluar nga Policia e Turqisë të mërkurën dhe ndodhej nën masën e paraburgimit, tregon një njoftim i autoriteteve turke dërguar Policisë së Kosovës të cilin e kishte parë Paparaci.
Megjithatë, lajmin e ka mohuar Besnik Berisha, avokati i stilistit kosovar.
Berisha ka thënë se klienti i tij të mërkurën ishte nisur në një udhëtim nga Prishtina drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, me Aeroportin e Stambollit si vend tranzit.
Avokati ka thënë se Sahiti e ka vazhduar rrugën nga Stambolli në Dubai. Ka pohuar se “ka pasur një keqkuptim” me çantën që e kishte harruar në aeroplan.
KosovaNews ka siguruar një dokument të Zyrës së Policisë Turke në Aeroportin e Stambollit i cili dëshmon se Valdrin Sahiti është arrestuar dhe ndaluar në Aeroportin e Stambollit në bazë të ligjit 95 të kodit penal të Republikës së Turqisë.
Në bazë të këtij dokumenti të datës 11 prill 2023 ku figuron edhe numri i pasaportes Diplomatike të Valdrin Sahitit të nënshkruar nga shefi i parandalimit dhe hetimit të krimeve Mustafa Gani, Valdrin Sahit është pajtuar që pas arrestimit të njoftohet Kosullata e Republikës së Kosovës në Stamboll.
“Shtetasi i huaj të dhënat e të cilit janë shkruar më poshtë, në përputhje me nenin 36 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, nenin 95 të Ligjit për Gjykatën Penale nr.5271 dhe nenin 8 të Rregullores për Arrestimin, Paraburgimin dhe Deklarimin, botuar në Gazetën Zyrtare më datë 01.06.2005 dhe me numër 25832, u informua se situata e tij do të raportohej menjëherë në Konsullatë dhe u mor kërkesa me shkrim si në vijim:
“Unë kërkoi që lidhur me situatën time të njoftohet konsullata, misioni diplomatik i shtetit tim”, thuhet në dokumentin e publikuar.
KosovaNews raporton se Valdrin Sahiti ka qëndruar 48 orë në paraburgim dhe në mëngjesin e së premtes është liruar.
Ndërkaq, e pyetur për ngjarjen të enjten, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës tha se është në pritje të informacioneve zyrtare nga autoritetet turke.
“Ju njoftojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës(MPJD), është ende në pritje të informacioneve zyrtare nga autoritetet turke, rreth rastit në fjalë”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme për Express.
Kreatori i veshjeve ishte pajisur me pasaportë diplomatike nga Ministria e Punëve të Jashtme në dhjetor të vitit 2020, me vendim të ish-ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj.