17.1 C
Mitrovice
E martë, 7 Prill, 2026

S’ka njohje të plotë: Zyrtari i BE-së tregon detaje për versionin e fundit të propozimit franko-gjerman që iu dorëzua Kurtit

Portali evropian Euractiv ka shkruar për versionin e fundit të propozimit franko-gjerman që kryediplomati Josep Borrell tha se i është dorëzuar edhe Kosovës edhe Serbisë. E një zyrtar i BE-së tashmë ka folur për këtë propozim.

Borrell në samitin e Tiranës u shpreh se i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kishte dorëzuar tashmë versionin e fundit të propozimit franko-gjerman te lidershipi kosovar dhe ai serb.

Por, çka thotë versioni i fundit?

Euractiv ka folur me një zyrtar të Bashkimit Evropian në margjinat e samitit gjatë ditës së sotme, dhe i cili foli për ta nën kushte anonimiteti.

“Ka një pritje që dy palët do të arrijnë marrëveshjen finale në më pak se një vit,” – ka thënë ai mes tjerash. Në këtë pikë, duhet të kujtojmë se kryeministri Kurti e kishte përmendur afatin e fillimit të pranverës 2023.


“Pasi kemi dëgjuar dy palët, ne ridraftuam propozimin (…) e që janë të akorduara mirë,” – shtoi më tej ky zyrtar i lartë evropian. Në këtë pikë, duhet të kujtojmë se kryeministri e kishte pranuar se kishte dërguar komente për draftin e mëparshëm.

Sipas këtij diplomati, propozimi përmban një shtojcë “me një kalendar të qartë me veprime se kur dhe se si duhet të ndodhin gjërat,” – u shpreh diplomati anonim.

Më tutje, ai deklaroi edhe se në propozim ka gjërat të cilat e bëjnë “hap të madh përpara” në raport me situatën aktuale.

“Nuk ka njohje e plotë (…) por është një normalizim i plotë i marrëdhënieve,” – shtoi ky zyrtar.

Se është marrë versioni i fundit i propozimit franko-gjerman u konfirmua edhe nga zv. Kryeministri Besnik Bislimi gjatë ditës së sotme. Por, ai nuk dha asnjë detaj në lidhje me përmbajtjen e tij, ashtu siç nuk dha as kryediplomati evropian Josep Borrell apo vartësi i tij Mirosllav Lajçak.


Kryeministri Kurti fillimisht e kishte vlerësuar si “bazë të shëndoshë drejt rrugës së duhur” propozimin që e kishte marrë më 9 shtator të këtij viti në zyren e tij. Ai besohet që e mori draftin e ri po në zyren e tij sot nga Lajçak.

Ndërkohë, ishte po i njëjti portal, Euractiv, i cili kishte publikuar nenet e propozimit franko-gjerman para një muaji. /Nacionale

TË FUNDIT

TË FUNDIT