Sindikata e Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës ka bërë të ditur se nesër nga ora 11:30-12:00 do të protestojnë para Qeverisë së Kosovës.
Me anë të një njoftimi për media, kjo Sindikatë ka thënë se protesta do të mbahet me kërkesën për miratimin e ligjit për Lotarinë e Kosovës. Gjithashtu paralajmërojmë se do të vazhdohet me protesta gjatë ditëve të punës deri në përmbushjen e kërkesës së punëtorëve të Lotarisë së Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës i ka premtuar Sindikatës së Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës se do të gjejë një zgjidhje për punëtorët tanë mirëpo një premtim i tillë ende nuk është përmbushur. Punëtorët tanë momentalisht gjenden në një situatë të mjerueshme përderisa u bë një vit që s’kanë pranuar pagë, e sidomos në përballjen me luftimin e Pandemisë Covid-19 që edhe më tepër e ka rënduar gjendjen e tyre”, thuhet në njoftim.
Sindikata e Lotarisë së Kosovës ka ftuar të gjitha mediat të jenë të pranishme, gjithashtu u ka bërë thirrje publike Qeverisë së Kosovës që të përmbush premtimin dhe obligimin që e ka ndaj punëtorëve të Lotarisë së Kosovës.



