Mbrëmë u raportua se dy rusë dhe një bellorus kanë provuar të futen në Kosovë e me vete kanë pasur pajisje të dyshimta. Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Policinë për të marrë më shumë informacione lidhur me këtë rast.
Duke mos dhënë detaje të tjera, nga Policia kanë thënë për Sinjalin se “Sa i përket qarkullimit kufitar të gjithë personat që plotësojnë kritetret ligjore, përfshirë kriteret dhe masat ndaj pandemisë, hyjnë dhe dalin në RKS duke u bazuar në procedurat e parapara ligjore.”
Tutje thuhet se Policia po vazhdon ta zbatojë vendimin, duke njoftuar se situata është e njëjtë.
“Policia e Kosovës, bazuar në autorizimet kushtetuese dhe ligjore si dhe bazuar në planifikimet operacionale në vazhdimësi po realizon ndërmarrjen e veprimeve policore në nivel vendi, përfshirë në të gjitha pikat kufitare me qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë – konkretisht targave të automjeteve, veprime këto të cilat janë duke vazhduar edhe sot.
Policia e Kosovës në vazhdimësi ka përcjellë dhe monitoruar situatën dhe është kujdesur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, referuar situatës dhe zhvillimeve në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, vlerësohet të jetë një situatë e njëjtë me pengesat e ndryshme të vendosura me automjete, mjete të rënda transportuese, zhavor etj, në lokacione të ndryshme drejt pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak.”
/GazetaSinjali/




