Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic shprehën qëndrime të kundërta në raundin e ri të dialogut që filloi në Bruksel. Takim ky, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Vucic, gjatë përballjes me Kurtin parashtroi një kërkesë absurde në lidhje me të pagjeturit, duke u munduar të viktimozojë shtetin e tij, dhe krimet që kanë kryer në Kosovë.
Vucic, kërkoi që të zhvillohen gërmime edhe në 9 zona te Kosovës për të zhdukurit serbë gjatë luftës, duke u përpjekur kështu të zbehë kërkesën legjitime të Prishtinës për gjetjen e të zhdukurve kosovarë, nga 1.653 prej të cilëve nuk ka ende asnjë gjurmë.
Kujtojmë, që prej përfundimit të luftës e deri më sot, në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Komisionin Qeveritar të Kosovës për Persona të Zhdukur, sipas kërkesave të familjarëve, janë evidentuar 6.057 raste të personave të zhdukur, si pasojë e luftës në Kosovë. Fati i shumicës është zbardhur, por për 1.647 persona ende nuk dihet asgjë.
Autoritetet e Kosovës dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare bëjnë të ditur se rreth 80% e personave të zhdukur gjatë luftës kanë qenë meshkuj të moshës prej 18 deri në 40 vjeç. Pjesa tjetër janë e moshës 41 deri në 60 vjeç, por ka pasur edhe disa raste të rrëmbimeve dhe zhdukjeve të personave mbi moshën 60-vjeçare./gazetametro.net



