18.5 C
Mitrovice
E shtunë, 19 Prill, 2025
spot_imgspot_img

Veseli: Popullit të Kosovës nuk i takon të mbajë anë në zgjedhjet në Amerikë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në një reagim indirekt ndaj pozicionimit të ish-kryeministrit Kurti për zgjedhjet presidenciale në SHBA, ka thënë se Kosovës nuk i takon të mbajë anë në këto zgjedhje, shkruan mitrovica.net

Në një postim në Facebook, Veseli ka thënë se Kosova gjithmonë ka gëzuar mbështetje bipartizane nga SHBA pavarësisht kush është president dhe se Kosova është e bekuar me aleancën me Amerikën.

Veseli ka thënë se zgjedhjet në SHBA janë një ngjarje e madhe sepse nëpërmjet tyre populli amerikan nuk zgjedhë vetëm presidentin e vendit të tyre por edhe liderin e botës së lirë.

Por, Veseli tha se popullit të Kosovës nuk i takon të mbajë anë në këto zgjedhje dhe se duhet të respektojë vullnetin demokratik të vendit mik, duke shtuar se populli i Kosovës do të jetë gjithmonë me SHBA-në dhe SHBA me popullin e saj gjithmonë do të jenë krah nesh.

Postimi i plotë:

Kosova e ka gëzuar gjithmonë mbështetje bipartizane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është përkrahur nga të gjitha administratat e presidentëve të Shteteve të Bashkuara pavarësisht partive. Për Kosovën, aleanca me këtë shtet mik, vazhdon të jetë në thelb të pozicionimit gjeopolitik dhe të konsolidimit të lirisë dhe demokracisë së saj.

Unë kam pasur fatin që të takoj e bashkëpunoj qoftë me Presidentin Trump dhe qoftë me zv. Presidentin Biden, për të mirën e Kosovës. Ne jemi me fat e të bekuar me këtë aleancë të shenjtë për popullin tonë, edhe kemi përgjegjësi që ta kultivojmë atë.

Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ngjarje e madhe për tërë botën demokratike. Populli i Amerikës zgjedh jo vetëm presidentin e tyre, por edhe liderin e botës së lirë që udhëheq hemisferën demokratike.

Andaj, është më se i kuptueshëm entuziazmi dhe interesi i shtuar për këtë proces. Megjithatë, popullit të Kosovës nuk i takon që të mbajë anë në këtë proces por duhet të respektojë vullnetin politik e procedurat demokratike të këtij vendi mik. Shteti i Kosovës do të jetë gjithmonë me Amerikën, e padyshim Shtetet e Bashkuara të Amerikës me popullin e saj, do të jenë krah nesh.

Presidentit Trump dhe ish-zv. Presidentit Biden iu uroj fat e suksese në garën e tyre presidenciale. Ndërkaq besoj se kushdo që i fiton zgjedhjet do të vazhdojë traditën e përkrahjes së Kosovës.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT