Publikimi në Twitter nga ana e ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, i karikaturave të profetit Muhamed ka ngjallur reagime të gjera, sidomos në mesin e myslimanëve praktikantë, shkruan mitrovica.net
Reagimet kanë qenë të ashpra duke kërkuar shkarkimin e ambasadorit me arsyetimin se ai lëndoi ndjenjat e besimtarëve duke fyer personalitetin kryesor të fesë Islame.
Ndër njerëzit që kanë reaguar është edhe kryetari i partisë “Fjala”, Gëzim Kelmendi. Përveç shkarkimit, ai ka shkuar dhe më larg dhe ka kërkuar arrestimin e z.Gashi.
Ndryshe, presidenti francez, Emmanuel Macron ka reaguar ashpër ndaj mbytjes së një mësuesi francez pasi shfaqi karikaturat e profetit Muhamed gjatë një ligjërate për sekularizmin dhe lirinë e shprehjes, duke e cilësuar si goditje ndaj Francës, demokracisë dhe lirisë për t’u shprehur.
Reagimi i Kelmendit:
Fyerja e Pejgamberit Muhamed Alejhiselatu ue selam përmes karrikaturave nga ana e ambasadorit të Kosovës në Francë Qëndrim Gashit, është vepër penale dhe e dënuar në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Fyerja e Pejgamberit Muhamed Alejhiselatu ue selam është fyerje edhe e popullit të Kosovës që është rreth 96% musliman.
Ambasadori i Kosovën në Francë Qëndrim Gashi duhet ta dijë mirë se ai paguhet nga populli i Kosovës, dhe kjo vepër e tij është shumë e ulët dhe e pamoralshme.
Ambasadori i Kosovës në Francë Qëndrim Gashi duhet menjëherë të shkarkohet dhe të arrestohet për nxitje të urrejtjes ndërfetare.
Nxitja e urrejtjes ndërfetare është vepër e dënuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Nëse heshtë qeveria Hoti, nuk duhet të heshtë prokuroria!
Gëzim Kelmendi