Ndër prioritetet kryesore të çdo komune duhet të jenë projektet për rregullimin e infrastrukturës për qytetarët, projekte të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejt në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, shkruan Mitrovica SOT.
Një projekt i tillë me rëndësi jetike u realizua në një lagje të Mitrovicës, përkatësisht afër shkollës Model, prapa një ndërtese kolektive, ku përveç që u bë shtrimi i kockave, poashtu u bë edhe rregullimi dhe ndriçimi i hapësirës prapa ndërtesës, me standarde moderne.
Ky projekt u përurua me 01 Qershor, ku me këtë rast, i pranishëm ishte Nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, së bashku me drejtorin për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Naser Muja.
Tashmë që kanë kaluar disa muaj nga rregullimi i kësaj pjese, banorët e kësaj ndërtese janë shprehur jashtëzakonisht të kënaqur me punën e institucioneve lokale, veçanërisht kanë shprehur falenderim të veçantë për drejtorin Naser Muja, për angazhimin e tij në realizimin e këtij projekti.
Faton Loshi, një nga banorët e kësaj ndërtese, në emrin e tij por edhe në emër të të gjithë banorëve ka falenderuar përzemërsisht drejtorin Muja, si dhe Komunën e Mitrovicës për rregullimin e këtij problemi që e kishin tash e shumë vite.
“Faleminderit të gjithë atyre që kontribuan në realizimin e këtij projekti, i cili ka ka pasur ndikim shumë pozitiv, pasi që tashmë fëmijët e kanë një vend më të mirë për të luajtur, poashtu është rritur siguria e veturave të këtyre banorëve”, u shpreh Loshi.
Më poshtë po ju sjellim disa pamje se si ishte kjo hapësirë në të kaluarën dhe poashtu pamjen që mori pas realizimit të këtij projekti, duke shpresuar që projekte të tjera të realizohen edhe në shumë pjesë të tjera të Mitrovicës.
Autor: Fidaim Asllani/Mitrovica SOT



