Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, së bashku me delegacionin e tij nga Shqipëria, sot kanë vizituar Komunën e Mitrovicës, me ç’ rast janë pritur nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka, si dhe drejtorët e drejtorive komunale.
Me këtë rast, kryetari Agim Bahtiri, ka falënderuar përzemërsisht kryetarin e PD-së, njëkohësisht mikun e tij të çmuar z. Basha për vizitën dhe interesimin e tij për qytetin e Mitrovicës.
“Kësaj radhe e kam pritur si kryetar të partisë, ndërsa në vitet në vijim do t’a pres si kryeministër të Shqipërisë, për arsye se këtij vendi dhe populli i duhet një njeri që i’a vlen të jetë shërbëtor i shqiptarëve. Gjithashtu i shprehi mbështetje të fuqishme për sfidat që do t’i presin, dhe bashkërisht ne do të jemi që ky njeri evropian dhe i shkolluar në Evropë, të jetë në detyrën ku jo vetëm unë por dëshirojmë krejt Kosova”, tha kryetari Bahtiri.
Po ashtu kryetari Bahtiri potencoi se populli i Shqipërisë duhet të vetëdijesohet dhe të dalë nga errësira në të cilën gjendet tani, ku udhëheqësit e tanishëm e shfrytëzojnë shtetin për interesa të tyre personale, grupore dhe partiake, dhe asnjëherë në të mirë të qytetarëve.
“Prandaj ardhja e z. Basha në krye të Qeverisë së Shqipërisë do të ndryshoj gjithçka në të mirë të popullit, sepse ka vizion evropian, përveç se do të ndikoj për të mirë në zhvillim të vendit, do të jetë ndihmesë e madhe edhe për Kosovën në çështjet ndërkombëtare, e jo si të tjerët që kontribuojnë në ndarje dhe copëtim të Kosovës, dhe nënshtrim ndaj planeve të Serbisë, ku Kosovën e dëmtojnë në tërësi edhe në aspektin ekonomik, gjeografik dhe kulturor”, shtoi kryetari Bahtiri.
Ndërsa kryetari i PD-së, z. Basha, është shprehur tejet mirënjohës ndaj kryetarit Bahtiri për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, duke thënë se është kënaqësi që të jetë në Mitrovicë në qytetin ku është shpallur edhe qytetar nderi, dhe se me gojën plotë e quajti Mitrovicën kryeqytet të kombit.
“Dua të ju falënderoj në radhë të parë për dimensionin kombëtar, qëndresën tuaj në emër të banorëve dhe të qytetarëve të Mitrovicës kundër copëtimit të Kosovës, i cili plan do të niste me copëtimin e qytetit të Mitrovicës. Qëndrimi juaj i qartë dhe i prerë për gjithë këto vite, në emër të qytetarëve që ju kanë vlerësuar me të drejtë administrimin dhe drejtimin e qytetit dhe komunës së tyre, ka qenë e një vlerë e jashtëzakonshme për të përcjellë vullnetin e vërtetë të njerëzve, si një faktor i pazëvendësueshëm në vendimmarrjet e këtij lloji dhe si një qëndresë shembullore për të gjithë ata që marrin përsipër të përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve të tyre. Dhe në këto kuadro jam krenar që edhe Partia Demokratike, unë personalisht jemi bashkangjitur qëndrimit të drejtë dhe konsekuent kundër copëtimit të Kosovës, ruajtjes së tërësisë territoriale si parakusht i vazhdimësisë së sovranitetit dhe Pavarësisë së Kosovës”, tha z. Basha.
Më tutje z. Basha falënderoi me mirënjohje kryetarin Bahtiri për politikat e tij të zgjuara dhe përkushtimin maksimal për zhvillim sa më të mirë të qytetit, dhe duke e ditur gjendjen aktuale me COVID-19, me krizën ekonomike sociale që ka sjellë kjo pandemi, ai theksoi se kryetari Bahtiri është drejtuesi më i përkushtuar dhe më i aftë për tu përballur me këto sfida.
“Qyteti i Mitrovicës vazhdon të jetë me fat që ka kryetar një patriot të kulluar, një administrator të shkëlqyer, por edhe një evropianit të përkushtuar ndaj vlerave dhe parimeve që e bëjnë Evropën e Bashkuar”, shtoi ndër të tjerash z. Basha.
Në fund, kryetari Bahtiri, së bashku nënkryetarin Mujka, si dhe kryetarin e PD-së, z. Basha me delegacionin e tij kanë bërë homazhe në Kullën e heroit Isa Boletinit në fshatin Boletin, ku gjatë qëndrimit në Kullën, vlerësuan lartë kontributin dhe sakrificën e këtij heroi për pavarësinë e Shqipërisë, dhe më pastaj kanë vazhduar për nderime dhe homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.






