0.9 C
Mitrovice
E enjte, 25 Dhjetor, 2025
spot_img

Veseli: Pandeminë politike do ta ndalë vetëm PDK



Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot nga Prizreni se vetëm partia që ai drejton mund ta bëjë rimëkëmbjen kombëtare për shqiptarët.

Në ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lideri i PDK-së ka zhvendosur lidershipin e partisë në kryeqytetin historik, nga ku ka shpalosur vizionin e ri të PDK.

“Më 6 tetor të vitit të kaluar ka ndodhur një mashtrim i madh politik, që ka vënë në rrezik shqiptarët. Qasja majtiste ekstreme dhe ideologjia anti-amerikane – kanë tronditur orientimin tonë kombëtar. Ndërsa, fryma e urrejtjes dhe e përçarjes brenda, dobësoi shtetin tonë dhe i hapi orekse pretendimeve antishqiptare. Ne nuk kemi njerëz për të humbur. Nuk kemi toka për të dhënë. Dhe, nuk lejojmë askënd të cenojë vlerat tona, lirinë, shtetin dhe kombin tonë”, deklaroi Veseli.

Ai po ashtu shtoi se në qeverisjen e kaluar PDK ka lidhur Prizrenin me Tiranën përmes autostradës së Kombit, ndërsa u zotua se në mandatin e ardhshëm do ta lidhë Prizrenin me Tetovën.

“Sot, nga Prizreni, ku kam mbledhur edhe Kryesinë e partisë për një takim të gjatë pune, si Kryetar i PDK-së po e filloj ngadalë edhe prezantimin para qytetarëve të Kosovës të platformës sonë të rimëkëmbjes kombëtare”.

“Qeveria Hoti e ka të trashëguar virusin e mashtrimit të Qeverisë Kurti. Këtë pandemi politike do ta ndalë vetëm PDK”.

“Ne do të jemi opozitë për t’i hapur një derë të re një epoke të madhe të shqiptarëve”.

“Nuk mund t’i pranojmë mashtrimet e atyre që premtojnë shumë dhe dështojnë gjithçka. Shembulli tipik i kësaj është ky qytet i bukur, që duke u qeverisur me papërgjegjshmëri dhe korrupsion, ka ngufatur qytetarët dhe qytetin. Ky qytet ka humbur 3 vjet nga keq-qeverisja e koalicionit të mashtrimit VV-LDK”.

“Ne arritëm ta përmbyllim gjatë qeverisjes sonë autostradën kombëtare, duke e shndërruar Prizrenin në qytetin më të rëndësishëm mes Prishtinës e Tiranës. Tani është koha ta lidhim gjatë qeverisjes së ardhshme të PDK-së edhe me Tetovën”, u shpreh Veseli gjatë konferencës për media të mbajtur në Prizren.




TË FUNDIT

TË FUNDIT