Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, mori fjalën në Kuvend në seancën e jashtëzakonshme rreth heqjës së taksës që vazhdoi deri pas mesnate.
Osmani rreth dialogut me Serbinë theksoi se duhet të zhvillohet mbi dy parime, njofton Klan Kosova. “Unë propozoj se dialogu me Serbinë duhet të zhvillohet mbi dy parime. E para; Të mbrohen interesat e vendit. E dyta; Të mbrohen miqësitë me shtetet shpëtimtare. E para s’mundet pa të dytën e as e dyta pa të parën”.
Osmani në fjalën e saj tha se Kosova nuk ka pasur asnjëherë suksese pa i pasur në krah Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Kosova kurrë nuk ka pasur sukses pa i pasur SHBA’në në krah”, thotë Osmani.
“Shteti ynë nuk mundet pa aleatet e Kosovës. Apeli im është për të gjithë, që të ulemi dhe ta gjejmë gjuhën e përbashkët që i mbron këto dy parime, edhe interesin e vendit edhe miqësitë me këto shtete”.
Ndërsa për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, Osmani thotë se duhet të hiqet së bashku me tarifën. “Tarifa duhet të hiqet bashkë me presidentin uzurpues të dialogut Kosovë–Serbi”, ka thënë Osmani në Kuvend. “Presidenti duhet të ishte simbol i unitetit, e ai e quan kryeministrin e Kosovës manipulues, përpëlitës, mashtrues etj.” deklaroi Osmani.



