Ka përfunduar edhe dita e dytë e qëndrimit të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pranë familjes së tij në Prishtinë, pas kthimit të përkohshëm nga Haga për arsye humanitare.
Krasniqit i është mundësuar të vijë në Kosovë për të qëndruar pranë bashkëshortes së tij, për të cilën është raportuar se ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Pas disa orësh të kaluara me familjen, Krasniqi është larguar sërish nga shtëpia në lagjen Velania dhe është kthyer në objektin e EULEX-it në Fushë Kosovë, ku do ta kalojë natën, njësoj si mbrëmjen e kaluar.
Ai kishte arritur në shtëpinë familjare edhe sot në orët e paraditës, nën përcjelljen e automjeteve të EULEX-it.
Vizita e tij është mundësuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë për arsye të forta humanitare, pas raportimeve për gjendjen e rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Lidhur me këtë vizitë, avokati kosovar Skënder Musa ka folur sot në emisionin “FRONTAL”, duke shpjeguar arsyet juridike për të cilat mund të aprovohen vizita të tilla.
Sipas Musës, në terminologjinë juridike, këto vizita njihen edhe si “vizita lamtumirëse”, pasi lejohen kur dokumentohet se një familjar ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ekziston rrezik për jetën e tij.
“Njihet edhe në terminologji juridike si vizita lamtumirëse. Kjo vizitë bëhet kur dokumentohet se shëndeti është në gjendje të rëndë dhe, në shumë raste, parashihet që ka rrezik edhe jeta”, ka deklaruar avokati Skënder Musa në T7.




