spot_img
spot_img

Deputeti Peci: Serbia t’i hapë arkivat rreth të zhdukurve tanë

Deputeti Valon Peci tha se nuk mund të ketë normalizim të raporteve me Serbinë pa u zgjidhur problemi me të zhdukurit gjatë luftës.

Ai tha se Serbia duhet t’i hapë të gjtha arkivat e nevojshme për zbardhjen e lokacioneve të tjera të varreve masive pas rezultateve të gërmimeve në Zubin Potok.

Fjala e plotë:

I deruar Kryeministër,
Të nderuar anëtarë të Kabinetit Qeveritar,
Të nderuar kolegë deputetë,
Shumë të dashur qytetarë,

Para disa javësh, institucionet tona konfirmuan identifikimin e edhe tri viktimave të luftës, mbetjet mortore të të cilëve u gjetën në lokacionet e varrezave masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Bëhet fjalë për Adem Ademin, Fatmir Fazliun dhe Ali Halitin, të cilët, së bashku me Idriz Rrecajn, Adem Beqirin dhe Sali Mëziun, janë identifikuar në kuadër të rastit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë në prill të vitit 1999.

Në mesin e tyre është edhe kirurgu i njohur Adem Ademi, i cili më 28 Nëntor, në Ditën e Flamurit, do të përcillet për në banesën e fundit. Pas më shumë se 27 vjetësh pritjeje, familja e tij më në fund do të ketë një vend ku mund ta kujtojë dhe ta nderojë.

Është domethënëse që, pas më shumë se dy dekadash nga përfundimi i luftës, në veri të Kosovës po zbulohen lokacione të reja të varrezave masive. Gjetjet në Kalludër dhe Jabukë dëshmojnë se e vërteta ende nuk është zbardhur plotësisht dhe se shumë familje vazhdojnë të presin përgjigje.

Prandaj, nga kjo foltore, kërkojmë që Serbia të hapë pa kushtëzime arkivat shtetërore, ushtarake dhe policore, si dhe të vërë në dispozicion çdo dokument që mund të ndihmojë në identifikimin e lokacioneve të varrezave masive dhe zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë të marrëdhënieve pa trajtimin e kësaj çështjeje. Nuk mund të flitet për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë, ndërkohë që familjet ende presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre.

Kërkojmë gjithashtu nga Bashkimi Evropian dhe partnerët tanë ndërkombëtarë që hapjen e arkivave dhe bashkëpunimin për personat e zhdukur ta trajtojnë si çështje me prioritet dhe të kërkojnë përgjegjësi konkrete nga Serbia.

Çdo identifikim i ri është një hap drejt së vërtetës, por edhe një kujtesë se puna jonë nuk ka përfunduar. Mbi 1,500 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur me dhunë dhe familjet e tyre meritojnë përgjigje.

Detyrimi ynë institucional dhe njerëzor është të vazhdojmë kërkimin, të kërkojmë drejtësi dhe të mos ndalemi derisa të zbardhet fati i secilit prej tyre.

Faleminderit!

TË FUNDIT

TË FUNDIT