Lirim Krasniqi nga organizata Germin, e cila merret me diasporën dhe lidhjen e saj me Kosovën, ka folur në emisionin “Pressing” për emigrimin e profesionistëve shëndetësorë nga Kosova.
“Sipas të dhënave gjermane, deri në vitin 2025 janë mbi 600 mjekë në sistemin gjerman që kanë imigruar nga Kosova. Shifra e saktë, sipas Asociacionit të Mjekëve për vitin 2025, është 611 mjekë”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se shifra është edhe më e madhe kur bëhet fjalë për infermierët.
“Sipas një studimi të vitit 2022, çdo ditë një infermier emigron nga Ballkani në Gjermani”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se këto të dhëna përfshijnë vetëm Gjermaninë, pa i llogaritur vendet e tjera evropiane ku kanë emigruar profesionistët shëndetësorë.



