Temozolamide (Temodal), bari që përdoret për trajtimin e kancerit në tru në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë, është në mungesë.
Qytetarët kanë raportuar në KALLXO.com se po përballen me mungesë të këtij bari prej më shumë se një jave.
“Ne i kemi siguruar tash për tash, i kemi ble privat diku çmimi ish 190 euro. Pesë copa ishin brenda, çmimet ishin të ndryshme…” – ka raportuar familjari i një pacienti në kushte anonimiteti.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi.
Sipas tij, së shpejti pritet që Klinika të furnizohet me këtë bar.
“Po, është në mungesë, ka një javë. Ne këtë bar e përdorim te trajtimi i trurit, kancerit të trurit bashkë me rrezatim” – tha Kurtishi.
“Në bazë të informacioneve që i kemi nga Barnatorja Qendrore, krejt procedurat janë përfunduar, veç ka mbetur që operatori ekonomik ta sjellë në Klinikë” – deklaroi drejtori i Klinikës së Onkologjisë.
Tutje, Kurtishi ka pohuar se bari për trajtimin e kancerit në tru pritet të vijë në Klinikë në fillim të javës tjetër.
Temozolamide (Temodal) është bari që është pjesë e Listës Esenciale të barnave që shpërndahet falas për pacientë.




