Togeri i Policisë në rajonin e Pejës, Faruk Muqolli, nuk ka pranuar të prononcohet për audioincizimet e publikuara nga biseda e tij me tashmë të ndjerën Arlinda Zekaj, në zyrën e tij, ku ajo shprehte shqetësimet për sigurinë e vet dhe të djalit të saj.
“Je tu me pengu. Nuk e kom pozicionin as kohën me u prononcu për media. Mundeni me iu drejtu zyrës për media. Je tu me pengu definitivisht.”, dëgjohet duke thënë Mulliqi pasi pyetet nga mediat lidhur me përmbajtjen e audioincizimeve.
Në audioincizime, Arlinda dëgjohet duke i shprehur policit shqetësimin për gjendjen e djalit dhe mungesën e veprimeve nga institucionet.
“U shkatërru shëndeti mendor i djalit tem, nuk keni vepru kurgjo”, dëgjohet duke i thënë ajo Muqollit.
Gjatë bisedës, Zekaj shpreh edhe frikën se mund të vritej, duke paralajmëruar se zyrtarët do të mbanin përgjegjësi.
Tv Dukagjini ka kontaktuar përmes telefonit Muqollin për të marrë një qëndrim
Megjithatë, ai nuk iu është përgjigjur pyetjeve, duke thënë se ishte i zënë me punë dhe se gazetarja po e pengonte.



