spot_img
spot_img

Ish-deputeti shqiptar në debatin për Vlora Hysenin fyen kosovarët, thotë se flasin gjysmë shqip, gjysmë serbisht

Ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Myslim Murrizi, ka bërë deklarata fyese për mënyrën e të folurit të shqiptarëve të Kosovës, gjatë një debati në emisionin “Top Story” me Grida Dumën, ku po diskutohej për ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni.

Duke komentuar një video në të cilën Hyseni akuzonte gazetaren investigative Klodiana Lala për takime të pretenduara me agjentë serbë, Murrizi u mor me mënyrën e të folurit të ish-drejtoreshës së SHISH-it, duke e cilësuar atë si një përzierje të serbishtes me të folmen e Kosovës.

“Kam pasur një debat mirëkuptimi, me një Besa Shahini, e man n’mend ka qenë një punonte në atë kohë si ministre, dhe i kam thënë në atë kohë dhe i kam thënë në Kuvend fol me marsh t’parë se s’kuptoj dot. Kjo këtu nuk qe me marsh t’parë te Klodi dhe ju e përkthyet që i ka thënë Klodit kështu, unë nuk e mora vesh. I foli gjysë serbçe gjysë kosovarçe, nuk e mora vesh çka i tha”, deklaroi Murrizi.

Në këtë mënyrë, ish-deputeti iu referua edhe një debati të mëparshëm që kishte pasur me ish-ministren e Arsimit të Shqipërisë, Besa Shahini, e cila është nga Kosova.

Deklaratat e Murrizit u kundërshtuan nga analisti politik Lorenc Vangjeli, i cili ndërhyri duke theksuar se shqipja dhe serbishtja nuk kanë lidhje gjuhësore që do ta justifikonte krahasimin e bërë nga ish-deputeti.

“S’ka lidhje serbishtja me shqipen si gjuhë në luingistikë”, tha Vangjeli.

“Ka se kanë bashkëjetuar”, iu përgjigj Murrizi.

“Dhjetë here mund të ma thuash por s’mund ta kuptoj”, vazhdoi Murrizi, ndërsa Vangjeli ia atribuoi vështirësinë e të kuptuarit regjistrimit të dobët, duke i thënë: “Cilësia e videos por jo e fjalës”.

Debati televiziv erdhi pas përplasjes së 24 shtatorit mes Vlora Hysenit dhe gazetares Klodiana Lala, në hyrje të Gjykatës së Posaçme në Tiranë.

Teksa gazetarja po e pyeste për komunikimet e saj me biznesmenin Ergys Agasi, Hyseni iu kundërpërgjigj duke pretenduar se Lala ishte takuar me agjentë serbë në dhomat e hotelit “Rogner”. Gazetarja i hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si shantazh dhe paralajmëroi kallëzim penal ndaj ish-drejtoreshës së SHISH-it.

Hyseni është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë, SPAK, nën dyshimet për përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të akteve ose të dhënave sekrete. Ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Akuzat lidhen me hetimet për biznesmenin Ergys Agasi, ndërsa Hyseni ka mohuar se i ka dhënë atij informacione nga SHISH-i.

Ish-drejtoresha e SHISH-it ka mbajtur më herët edhe postin e zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), nga i cili ishte shkarkuar në qershor të vitit 2021./Reporteri.net

TË FUNDIT

TË FUNDIT