Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës të veprojnë sa më shpejt ndaj kërkesave të protestuesve. Në natën e tetë të tubimit në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ai kërkoi trajtimin dhe votimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe mbështetje me fonde për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
“Mosveprimi i institucioneve nuk mund të zgjasë pafund. Sepse ne nuk e durojmë padrejtësinë. Populli nuk e duron heshtjen. Pritjes sonë po i vjen fundi. Durimi ynë po përfundon. Nga ky shesh u themi institucioneve: Veproni sa më shpejt! Mos e ngatërroni qetësinë tonë të deritanishme me dobësi!”, deklaroi Haziri.
Ai tha se protestuesit nuk do të heshtin përballë mosveprimit institucional dhe se do të vazhdojnë të mblidhen derisa kërkesat e tyre të marrin përgjigje.
“Dikush ka menduar se do të dilnim një natë. Dikush ka menduar se pas dy-tri netësh do të lodheshim. Dikush ka pritur që ky shesh të zbrazej. Por le ta shohin këtë shesh sonte! Jemi ende këtu!”, tha organizatori i protestës.
Haziri i falënderoi pjesëmarrësit për praninë e tyre përgjatë tetë netëve. Sipas tij, dalja e qytetarëve në shesh është shprehje e mbështetjes për UÇK-në dhe e kundërshtimit ndaj asaj që protestuesit e konsiderojnë padrejtësi nga Gjykata Speciale.
“Çdo natë populli erdhi në shesh, sepse UÇK-ja është e popullit dhe populli është i UÇK-së”, u shpreh ai, duke shtuar se qytetarët janë bërë bashkë “kundër harresës dhe kundër shtrembërimit të së vërtetës”.
Në një pjesë të fjalimit, Haziri u ndal te familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ai u kërkoi të pranishmëve të mendonin për çastin kur, pas përfundimit të protestës, do të kthehen në shtëpitë dhe te familjet e tyre, ndërsa katër ish-krerët e UÇK-së do të kalojnë edhe një natë larg të afërmve.
“Dikush do t’i përqafojë fëmijët. Dikush do ta gjejë nënën duke e pritur. Dikush do të ulet me gruan, me burrin, me familjen e tij. Dhe nesër në mëngjes do të zgjohemi të lirë. Por Hashimi sonte nuk kthehet në shtëpi. Kadriu sonte nuk kthehet në shtëpi. Rexha sonte nuk kthehet në shtëpi. Jakupi sonte nuk kthehet në shtëpi”, tha ai.
Sipas Hazirit, mundësia e qytetarëve për t’u kthyer të lirë në shtëpi sjell edhe përgjegjësinë për të ngritur zërin për ata që mbahen në Hagë. “Liria nuk është vetëm e drejtë. Liria është edhe përgjegjësi. Përgjegjësi për të mos harruar, për të mos heshtur, për të mos i lënë vetëm”, deklaroi ai.
Nga sheshi, Haziri iu drejtua me emër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, duke u përcjellë mesazhin se familjet e tyre kanë mbështetjen e protestuesve.
“Ndoshta sonte nuk na dëgjoni. Por dijeni: Kosova nuk ju ka harruar! Populli juaj është këtu! Fëmijët tuaj nuk janë vetëm! Familjet tuaja nuk janë vetëm!”, u shpreh ai.
Organizatori i protestës foli edhe për mungesën që, sipas tij, lë te fëmijët dhe të afërmit qëndrimi i një prindi larg shtëpisë.
“Kur një baba është pas grilave, mungesa e tij nuk mbetet pas atyre grilave. Ajo hyn në shtëpi. Ulet në tavolinën e familjes. Ndihet në çdo festë. Në çdo ditëlindje. Në çdo përqafim që mungon”, tha Haziri.
“Dhimbjen tuaj nuk mund ta marrim mbi vete. Por zërin tonë mund t’jua japim. Dhe këtë zë do t’jua japim çdo natë që duhet”, ishte mesazhi i tij për familjarët.
Në fund, Haziri bëri thirrje për pjesëmarrje edhe më të madhe në protestat e ardhshme. Ai tha se kërkesat për veprim institucional mbeten në fuqi dhe se tubimet do të vazhdojnë derisa ato të marrin përgjigje.
“Nesër duhet të jemi më shumë! Pasnesër edhe më shumë! Derisa kërkesat tona të marrin përgjigje!”, përfundoi ai, ndërsa përsëriti thirrjen e protestës: “Jo në emrin tim!”




