Një shqiptari i cili jeton në Gjermani, i është kërkuar nga kompania ku punon, “Telefónica Germany / O2”, ta ndryshojë foton e profilit në “Microsoft Teams”, një aplikacion i Microsoft-it për komunikim dhe bashkëpunim në punë, në të cilën kishte të vendosur stemën e UÇK-së.
Atij, i ka shkuar një mesazh nga eprorë të kompanisë, në të cilin i thuhet se mbajtja e stemës së UÇK-së si fotografi profili “bie ndesh me kushtet e përgjithshme të përdorimit”.
Mesazhi:

“Përshëndetje, sapo më kërkuan të të njoftoj që të lutem ta ndryshosh fotografinë e profilit. Sipas ekipit të TEF-it, ajo bie ndesh me kushtet e përgjithshme të përdorimit (AGB)”, thuhet në mesazhin që i ka shkuar mërgimtarit, të cilin e ka parë VOX Kosova.
Gjithashtu, në mesazh i është bashkëngjitur edhe një pjesë e citatit të “Wikipedias” në gjuhën gjermane, në të cilin thuhet se UÇK ishte organizatë “terroriste, nacionaliste, paramilitare shqiptare”.
“UÇK-ja (shkurtim nga shqipja Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ‘Ushtria Çlirimtare e Kosovës’) ishte një organizatë terroriste nacionaliste paramilitare shqiptare, e cila luftoi për pavarësinë e Kosovës”, thuhet në citatin e marrë nga Wikipedia, i cili i është dërguar mërgimtarit.
Kjo ka ndodhur pasi Gjykata Speciale të mërkurën e 16 shtatorit, dënoi me 81 vjet burg Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.




