spot_img
spot_img

“Mos prisni shumë nga Apeli”: Intervistë me Nevenka Tromp për Aktgjykimin e Hagës si “kriminalizim i UÇK-së” dhe çka tutje

Profesoresha dhe ekspertja e krimeve të luftës, Nevenka Tromp ka thënë se nuk duhen pritur shumë nga apeli ndaj aktgjykimit të shkallës së parë për ish-krerët e UÇK-së.

Në intervistë për Nacionale, ajo tha se apeli nuk e rihap procesin nga fillimi dhe nuk sjell prova të reja.

“Nuk duhet investuar shumë shpresë në apel”, tha Tromp.

Ajo tha se shkalla e dytë verifikon nëse gjykata e shkallës së parë e ka zbatuar ligjin drejt mbi provat e administruara.

“Apeli nuk ka të bëjë kurrë me fakte të reja”, tha ajo. “Nëse ka fakte ose prova të reja, ato trajtohen në rigjykim.”

Sipas Tromp, apeli është test juridik për mënyrën se si është zbatuar ligji, jo një proces i ri për vërtetimin e fakteve.

Nacionale ngriti pyetjen se si trupi gjykues shpërfilli dëshmitë e top-zyrtarëve amerikan të kohës mbi strukturën dhe funksionimit të UÇK-së.

“Si mund të udhëheqësh plan kriminal nëse nuk i kontrollon efektivisht njerëzit në terren?.

Tromp tha se pyetje të tilla kërkojnë analizë të kujdesshme juridike, historike dhe politike, sidomos për konceptin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale.

Nacionale e pyeti se si ndonëse gjykata tha se UÇK-ja në tërësi nuk ishte subjekt i çështjes, u trajtuan struktura dhe komandantë lokalë, duke u dënuar katër krerët e UÇK-së si Drejtoria Politike, Policia Ushtarake, Shtabi i Përgjithshëm dhe Shërbimi i Inteligjencës së UÇK-së.

“Gjykata, a nuk e ka kriminalizuar efektivisht tërë UÇK-në, pavarësisht mohimit?”.

Sipas saj, çështja kyçe është nëse ekzistojnë prova që e lidhin secilin person të përmendur me qëllimin e përbashkët dhe secilën vepër penale.

“Cila është prova për t’i lidhur secilin prej tyre, përmes fjalëve dhe veprimeve, me secilën vepër që gjykata ka konstatuar?” pyeti Tromp.

Ajo tha se, pa një lidhje të tillë provuese, krijohet rreziku i përgjithësimit të kriminalitetit dhe i implikimit të tërë UÇK-së.

“Gjykata po e përgjithëson kriminalitetin dhe po e implikon tërë UÇK-në”, tha ajo, duke e paraqitur këtë si shqetësim juridik.

Në intervistë u hap edhe çështja e pritjeve të shprehura publikisht që kryeministri Albin Kurti ka folur për korrigjimin e aktgjykimit në apel.

Tromp tha se nuk dëshironte ta interpretonte posaçërisht qëndrimin e Kurtit, pasi nuk e di saktësisht çfarë ka dashur të thotë ai.

Megjithatë, ajo e interpretoi në përgjithësi gjuhën e politikanëve dhe diplomatëve që premtojnë pafajësi në apel si përpjekje për të fituar kohë.

“Kur politikanët e thonë këtë, unë e shoh si blerje kohe për ta ulur këtë zemërim në Kosovë”, tha Tromp.

Sipas saj, ideja mund të jetë që publiku të qetësohet, ndërsa çështja të mbetet e hapur për vite të tëra.

Ajo tha se apeli mund të zgjasë deri në tre vjet, madje edhe më gjatë në raste me disa të akuzuar.

Pjesa qendrore e krahasimit të Tromp lidhej me dënimet e ICTY-së ndaj zyrtarëve serbë për krimet gjatë luftës në Kosovë.

Ajo tha se dënimi më i lartë për luftën në Kosovë në atë gjykatë ishte 22 vjet burg për gjeneralin Nebojsha Pavkoviq.

“Dënimi më i lartë në ICTY për luftën në Kosovë ishte dënimi prej 22 vjetësh për gjeneralin Nebojsha Pavkoviq. Njëzet e dy vjet në apel”, tha ajo.

Tromp e krahasoi këtë me dënimet prej 25 vjetësh të shqiptuara në shkallën e parë për Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqit.

Sipas saj, personat nga pala serbe, të cilën ajo e përshkroi si palë agresore dhe kryese, u dënuan me masa më të ulëta.

“Çmimi për qetësimin (e Serbisë) ishte krejtësisht, absolutisht disproporcional”, tha Tromp, duke e lidhur këtë me kontekstin politik të krijimit të gjykatës.

Ajo përmendi edhe Milan Milutinoviqin, presidentin e atëhershëm të Serbisë, i cili u shpall i pafajshëm nga ICTY-ja.

Sipas Tromp, Milutinoviqin as prokuroria nuk e kundërshtoi, prandaj ai doli nga çështja gjyqësore.

Nacionale e pyeti se si mund të pajtohen vendimet e ICTY-së me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara për të njëjtën luftë në lidhje me të ashtuquajturën “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale.”

“Nuk mund t’i pajtosh”, u përgjigj Tromp, duke thënë se dallimet mes dy gjykatave hapin pyetje për sigurinë juridike.

TË FUNDIT

TË FUNDIT