Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një takim me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.
Sipas Kurtit, gjatë takimit është diskutuar edhe për aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kurti ka thënë se ka shprehur shqetësimin për dënimet, të cilat i ka cilësuar si të rënda dhe të padrejta, ndërsa ka theksuar se pret që çështjet e ngritura të adresohen në procedurën e apelit.
“Shpreha shqetësimin për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, ka shkruar Kurti.
Në takim, sipas kryeministrit, janë diskutuar edhe zhvillimet politike dhe të sigurisë, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe perspektiva euroatlantike e Kosovës.
Kurti ka thënë se e ka falënderuar Pierce për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar lidhur me glorifikimin e personave të dënuar për krime lufte, ndërsa ka vlerësuar mbështetjen britanike për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
“E falënderova për qëndrimin e qartë të Mbretërisë së Bashkuar kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe vlerësova mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar lidhen, sipas tij, jo vetëm me historinë e çlirimit dhe shtetndërtimit, por edhe me perspektivën e përbashkët euroatlantike.
Në këtë kuadër, Kurti ka thënë se pjesë e diskutimit kanë qenë edhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, perspektiva për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe thellimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.




