Çmimi i naftës së papërpunuar ka rënë nën 100 dollarë për fuçi, pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se përfaqësuesit e SHBA-së dhe Iranit zhvilluan në Nju Jork bisedime që ai i cilësoi si “shumë të mira” dhe “shumë produktive”.
Nafta Brent, standardi ndërkombëtar i tregut, tregtohej rreth 98.41 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate (WTI) ishte në rreth 95.21 dollarë për fuçi për kontratat e muajit të ardhshëm.
Trump tha se takimi mes palëve zgjati rreth tre orë dhe se një tjetër takim pritet të zhvillohet së shpejti. Deklaratat e tij kanë shtuar pritshmëritë e tregjeve se, pavarësisht tensioneve, mund të ketë hapësirë për një zgjidhje diplomatike.
Megjithatë, SHBA-ja dhe Irani mbeten larg një marrëveshjeje. Ngushtica e Hormuzit vazhdon të jetë e mbyllur, ndërsa Uashingtoni ka mbajtur bllokadën ndaj porteve iraniane. Paralelisht, luftimet në Jemen kanë ndikuar në eksportet e energjisë përmes Detit të Kuq.
“Takimi treorësh SHBA-Iran ka rëndësi sepse e zhvendos tregun nga një skenar i pastër përshkallëzimi drejt një procesi real diplomatik, edhe pse një marrëveshje përfundimtare duket ende larg”, tha Stephen Innes nga Quintex Intel.
Në rënien e çmimeve ndikoi edhe një tjetër zhvillim: Arabia Saudite raportohet se ka rifilluar operacionet në tubacionin East–West, i cili lejon transportin e naftës saudite drejt Detit të Kuq pa kaluar përmes Hormuzit.
Rijadit iu desh të mbyllte tubacionin pasi dronë të nisur nga Iraku e dëmtuan rrjetin, ndërsa tani vendi synon të rifillojë eksportet përmes kësaj rruge më vonë gjatë javës.
Sipas raportimeve, Saudi Aramco u ka bërë të ditur disa rafinerive aziatike se së shpejti mund të marrin naftë nga porti i Yanbu-së, në Detin e Kuq. Ndërkohë, rafinerive evropiane u është komunikuar se nuk do të marrin naftë saudite në kuadër të marrëveshjeve të furnizimit për tetorin.
Rënia e çmimit të naftës ka ndikuar edhe në tregjet financiare. Në Evropë, kontratat e së ardhmes sinjalizuan hapje pozitive të bursave, ndërsa në Azi shumica e indekseve u rritën. Kospi i Koresë së Jugut u rrit 1.2 për qind, ndërsa Taiex i Tajvanit fitoi 0.9 për qind.
Në Wall Street, Nasdaq e mbylli seancën e së martës me rritje prej 0.5 për qind, duke arritur një tjetër rekord, ndërsa S&P 500 ishte pothuajse i pandryshuar dhe Dow Jones ra 0.4 për qind.
Investitorët po presin gjithashtu takimin e së enjtes mes Trumpit dhe presidentit kinez Xi Jinping, ku pritet të diskutohen tregtia, konkurrenca në inteligjencën artificiale dhe ndikimi i Kinës në marrëdhëniet me Iranin.
Analisti Kyle Rodda nga Capital.com tha se lufta në Lindjen e Mesme mund të ketë ndikim edhe më të madh në tregje, veçanërisht nëse SHBA-ja arrin ta bindë Kinën të përdorë ndikimin e saj mbi Teheranin.




