Rritja e çmimeve dhe raporti i tyre me të ardhurat e qytetarëve vazhdon të jetë një prej shqetësimeve për këta të fundit. Disa prej tyre në një intervistë thonë se çmimet janë të përballueshme, ndërsa të tjerë shprehen se rritja e tyre nuk është në përputhje me pagat dhe pensionet.
Një qytetar thotë se, krahasuar me Gjermaninë, çmimet janë më të ulëta, por sipas tij, të ardhurat dhe pensionet nuk mjaftojnë për të përballuar shpenzimet.
“Po, çmimet me krahasu me Gjermani janë lirë, ama të ardhurat edhe rrogat, edhe pensionet katastrofë që jeton njeri me pension, ne s’kemi çka me ba, si të thotë dil në zgjedhje, ne vrapojmë krejt me rend, mirëpo duhet me mendu edhe qeveria pak për këto shtresa, ti vet punon e di sa e ki rrogën, unë e di kurgjo hiç. Po për qytetarë të papërballueshme janë, mirëpo pa hangër s’ki qare, edhe këta që shesin mos kujto që kanë fitim shumë të madh, një përqindje të vogël, paguajnë qira këtë dugajë 700/800 euro anej knej, duhet me jetu me hangër bukë ditë për ditë”, tha ai.
Fahredin Halimi, një tjetër qytetar shprehet se çmimet janë rritur vazhdimisht, ndërsa pagat dhe pensionet, sipas tij, nuk janë në nivelin e nevojshëm për të përballuar këtë rritje.
“Këtu janë rritë çmimet po rriten përditë gati, këto nuk është e arsyeshme se rrogat nuk i kena kurqysh, ose pensionet nuk i kena të mira, çmimet po rriten përditë. Kjo duhet, pak Qeveria me marrë masa bre. Ashtu një mangësi e madhe është në çmime shumë, duhet pak me kursy për me mbërri diçka me marrë. Ma të mëdhaja janë, më të mëdhaja”, tha Halimi për Ekonomia Online.
Ndërkaq, qytetari Sadri Sadriu ka një qëndrim ndryshe për nivelin e çmimeve.
Ai thotë se produktet janë të lira, por problem mbeten pagat, ndërsa sipas tij rritja e çmimeve ka qenë më e shpejtë se rritja e pagave.
“Tybe çmimet nuk janë të shtrenjta, nuk janë të shtrenjta bile badihava po i mbjellim ne, ngule me i vadit, ngule anej, kështu janë lirë me çmime të volitshme shumë, njëherë për njëherë janë shumë lirë. Po valla rrogat janë të vogla, veç tash çmimet po hypin dy tre herë, rrogat njëherë, mos me u gëzu kur po hypin rrogat se po hypin çmimet dy tri herë”, tha ai.
Ndërkohë, Xhafer Beqiri thotë se çmimet janë relativisht normale për këtë periudhë, por thekson se standardi i jetesës mbetet i ulët.
“Po relativisht normal janë për këtë kohë, kundrejt do tjera çmimeve tregu nuk është qaq i vështirë, sivjet ka qenë siç duket verë e begatshme, e mirë, ka zgjidhje të mirë, çmimi është normal. Jo nuk janë, standardi është kërkun, çmimet janë tavan disa po s’kemi çka të bëjmë”, tha Beqiri.




