Policia e Kosovës ka ndaluar për kontroll një automjet me targa të Serbisë në Pikën e Kalimit Kufitar në Jarinje, ku janë gjetur dhe sekuestruar pesë thika dhe pajisje të tjera.
Sipas Policisë, automjeti me targa SRB (VA), në të cilin ndodheshin dy persona, është ndaluar për kontroll në vijën e dytë, nën dyshimin e bazuar për aktivitete të kundërligjshme ndërkufitare.
Gjatë kontrollit, zyrtarët kufitarë kanë gjetur dhe sekuestruar pesë thika, dy prej të cilave taktike/luftarake, një kamerë GoPro me mbajtës, dy pajisje multifunksionale, një flamur të Serbisë, një ID kartë si dhe një vulë me katër “S”.
Po ashtu, janë sekuestruar dy bluza me simbole dhe mbishkrime nacionaliste, përfshirë “Freedom or Death”, “Defend Europe since – 1312” dhe “Regrut”.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve”.
Dy personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje.




