spot_img
spot_img

Gazetari britanik Tim Judah: Vendimi i Hagës i dëmshëm, por le të jemi realistë, Kosova nuk do të kthehet në Serbi

Gazetari britanik, Tim Judah, ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Speciale ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së nuk e rrezikon pavarësinë e Kosovës, ndonëse sipas tij mund të dëmtojë besimin në drejtësinë ndërkombëtare.

Kështu ka thënë ai gjatë një interviste të dhënë për “KallxoPërnime”, duke komentuar zhvillimet e fundit pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së me 81 vjet burg në total.

Duke komentuar mundësinë që ky vendimi të ndikojë në statusin e Kosovës, Judah, gazetar i revistës “The Economist” dhe autor i librit “Kosovo: War and Revenge” (Kosova: Lufta dhe Hakmarrja), tha se vendi nuk do të rikthehet në përbërje të Serbisë dhe se nuk pret ndonjë ndryshim të madh në skenën ndërkombëtare.

Sa i përket dallimeve në dënimet e shqiptuara ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe rasteve të trajtuara nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë, Judah tha se nuk mund të japë një shpjegim të qartë, duke theksuar se bëhet fjalë për gjykata të ndryshme, me rregulla dhe standarde të ndryshme.

Sipas tij, megjithatë, çështja e proporcionalitetit të dënimeve mbetet e rëndësishme.

Judah tha se nuk pret që aktgjykimi të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme mënyrën se si Kosova shihet në skenën ndërkombëtare. Ai theksoi se procesi mund të vazhdojë përmes apelit dhe se Kosova nuk është aktualisht në qendër të vëmendjes së politikës ndërkombëtare në Uashington, Londër apo Paris.

Ai gjithashtu hodhi poshtë idenë se vendimi mund të çojë në kontestimin e pavarësisë së Kosovës.

“Kosova nuk do të bëhet me magji një ditë sërish pjesë e Serbisë, çfarëdo që të thotë dikush, mendoj, se është e dëmshme, por le të jemi realistë, nuk është se do të kthehet në Serbi”- tha Judah, duke shtuar se pavarësisht dëmit politik që mund të shkaktojë aktgjykimi, ai nuk beson se do ta ndryshojë statusin e Kosovës.

Megjithatë, sipas tij, pasojat më të mëdha mund të shihen në fushën e drejtësisë ndërkombëtare.

Judah vlerësoi se vendime të tilla mund të ndikojnë në mënyrën se si liderët dhe shtetet e tjera do ta shohin drejtësinë ndërkombëtare në të ardhmen.

Katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan nga Gjykata Speciale më 16.09.2026. Ky dënim po përcillet me protesta të përditshme në Kosovë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Gjykata e shpalli atë përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm gjatë luftës në Kosovë.

Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim. Ai u shpall fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.

Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim. Gjykata e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.

Ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim. Trupi gjykues e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.

Ky dënim është shqiptuar në shkallën e parë dhe palët kanë të drejtë ankese në Apel./Kallxo.com/

TË FUNDIT

TË FUNDIT