Djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, reagoi pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila e dënoi ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës me 25 vjet burgim.
Në një prononcim për Euronews, ai foli për gjendjen e babait të tij pas shpalljes së aktgjykimit, duke theksuar se mosha e tij e bën edhe më të dhimbshme për familjen përballjen me një dënim kaq të gjatë.
Krasniqi bëri të ditur se e ka vizituar të atin pas vendimit dhe se, pavarësisht situatës, ai vazhdon të ketë vullnet të fortë. Ai foli edhe për mbështetjen e qytetarëve ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e konsideruar pjesëmarrjen në protestë si një burim force për familjet e tyre.
“Mbështetja në protestë është një motiv i madh. Populli i ka shpallur të pafajshëm dhe ata janë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Momenti i vendimit ka qenë shumë i rëndë. Babain e kam vizituar dhe ai ka një vullnet të fortë. Jam shumë krenar për të dhe ne ia kemi forcuar edhe mua. Jemi krenarë për të gjithë secilin prej tyre. 25 vite janë një dënim shumë i rëndë. Babai është 76 vjeç dhe momenti kur i përfundon ky dënim mundet të mos jetë gjallë. Jemi krenarë për të, sepse kemi 20 vjet të lirë që mund të mos i kishim pa luftën e UÇK-së”, tha ai.



