Milazim Thaçi, kushëri i ish-presidentit Hashim Thaçi, është shprehur i shokuar me aktgjykimin e Gjykatës Speciale për dënimin e krerëve të UÇK-së.
Ai ka treguar edhe për takimin që ka pasur me nënën e ish-presidentit dy ditë para verdiktit të gjykatës.
Në një intervistë për “Debat Plus”, ai ka thënë se gjatë kësaj vizite e ka gënjyer nënë e ish-presidentit, duke i thënë se do të kthehet djali.
“Pardje kam qenë te nëna e Thaçit. Bile unë e rrejta, i thashë: ‘Masnesër ka me ardhë me të kap për qafe Hashimi’, e nuk më doli ashtu, e rrejta”, ka deklaruar Milazim Thaçi.
Ai ka thënë se nëna e Hashim Thaçit është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe se pas aktgjykimit nuk kishte pasur forcë ta vizitonte.
“Ajo është sëmurë shumë e sot nuk kam qenë hiç, se jam mërzit vetë unë e krejt familja, krejt mahalla, krejt Kosova”, është shprehur ai.
Ai ka treguar edhe fjalët që, sipas tij, nëna e Hashim Thaçit i kishte thënë gjatë vizitës.
“Ajo tha: ‘Të lumtë goja, ishalla na vjen sa më shpejt, jo vetëm djali i saj, po krejt ata që janë aty’”, ka rrëfyer ai.



